Kuvendi i Shqipërisë hap rrugë për arrestimin e ish-kryeministrit Berisha

Tiranë, 21 dhjetor 2023 – Shumica në Kuvendin e Shqipërisë e miratoi të enjten kërkesën e Prokurorisë së Posaçme të Shqipërisë (SPAK) për t’ia hequr imunitetin e deputetit, ish-kryeministrit Sali Berisha, duke i hapur rrugë arrestimit të tij.

Për kërkesën e SPAK-ut votuan 75 deputetë, ndërsa votimi u bë me shpejtësi, pa i lexuar kërkesën e SPAK-ut dhe vendimin e Komisionit të Mandateve, i cili e kishte miratuar të mërkurën atë kërkesë.

Prokurorët u kërkuan ligjvënësve javën e kaluar t’ia heqin Berishës imunitetin parlamentar, sepse ai nuk i ishte përmbajtur urdhrit për të raportuar në SPAK çdo dy javë dhe për të mos u larguar nga vendi, derisa po hetohej për korrupsion.

Në tetor, SPAK-u njoftoi se Berisha akuzohet për korrupsion në një rast bashkë me dhëndrin e vet, Jamarbër Malltezi, për privatizimin e paligjshëm të kompleksit sportiv Partizani.

Opozita u përpoq ta pengojë votimin duke hedhur flakadanë në seancën foltorja e të cilës u sigurua nga një numër i madh i rojeve të sigurisë, ndërkohë që pranë ndërtesës së Kuvendit protestuesit e kundërshtuan vendimin.

Berisha, duke folur gjatë protestës pranë Kuvendit, e quajti vendimin antikushtetues.

“Kuvendi antidekomratik votoi në kundërshtim me çdo procedurë kushtetuese dhe ligjore për heqjen e imunitetit dhe arrestimin tim. Ky vendim jo që nuk do ta shkatërrojë opozitën, por do ta mobilizojë atë në shkallën më të lartë dhe me moton: ‘o sot o kurrë’, do t’i japë përgjigjen më të merituar këtij regjimi”, tha Berisha.

Pas orë pas votimit, Kuvendi i njoftoi prokurorët për vendimin, të cilët pritet që tani t’i drejtohen gjykatës për masën ndaj Berishës.

Të hënën, Këshilli i Mandateve i Kuvendit të Shqipërisë e çoi në votim heqjen e imunitetit për Berishën me kërkesë të prokurorëve.

Për çfarë dyshohet Berisha?

Ndaj Berishës, 79 vjeç, nisën hetimet në muajin tetor në bazë të dyshimeve se kishte abuzuar me pozitën e tij dhe e kishte ndihmuar dhëndrin e tij Jamarbër Malltezin që të blejë tokë në Tiranë, e cila ishte në pronësi të qytetarëve dhe të Ministrisë së Mbrojtjes, në të cilën i ka ndërtuar 17 ndërtesa banimi.

Berisha dhe Malltezi i kanë hedhur poshtë dyshimet, me arsyetim se rasti ndaj tyre është i nxitur nga kryeministri Edi Rama dhe partia e tij, Partia Socialiste.

Prej tetorit, deputetët e Partisë Demokratike në opozitë i kanë penguar vazhdimisht seancat e Kuvendit për ta penguar atë që ata e quajnë sundimin autoritar të kryeministrit Rama.

Berisha ka qenë President i Shqipërisë nga viti 1992 deri në vitin 1997 dhe kryeministër i Shqipërisë nga viti 2005 deri në vitin 2013.

Në maj të vitit 2021, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e shpallën Berishën “non grata” për, siç thuhej, përfshirje në akte korruptive dhe pengim të demokracesë në Shqipëri. Berishës dhe familjarëve të tij iu ndalua hyrja në SHBA. Njëjtë veproi edhe Britania e Madhe në korrik të vitit 2022.

Berisha i ka hedhur poshtë të gjitha pretendimet, duke i cilësuar ato të motivuara politikisht për interes të kryeministrit Rama.

(r.m.)