Tiranë, 14 shtator 2022 – Gjashtë vjet pas miratimit të reformës në drejtësi, mazhoranca dhe një pjesë e opozitës në Kuvendin e Shqipërisë kanë ndërmarrë inciativën për hartimin e një pakete të re ligjore, me synimin për të shpejtuar plotësimin e vakancave në sistemin ee drejtësisë.
Komisioni i Ligjeve vendosi të martën që të ngrejë një grup pune të përbashkët mazhorancë-opozitë për të përgatitur një paketë të re ndryshimesh për ligjet e reformës në drejtësi.
Grupi që do të punojë për këto ndryshime përbëhet nga 3 deputetë të PS-së, Klotilda Bushka, Toni Gogu dhe Klevis Xhoxhi si dhe 2 deputetët demokratë, Gazmend Bardhi dhe Dhurata Çupi.
Kryetarja e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka, i tha BIRN-it se vendimi i kryesisë së këtij komisioni për të ngritur këtë grup erdhi si përgjigje e Kuvendit për kërkesat e vazhdueshme të organeve drejtuese të sistemit të drejtësisë për ndryshime ligjore.
“Pas raportimeve të organeve të drejtësisë në Komisionin e Ligjeve lindi nevoja për të bërë ndryshime në legjislacionin e reformën në drejtësi, ndryshime që kanë si synim përmirësimin e funksionimit të sistemit,” tha Bushka, ndërsa shtoi se do të konsultohen edhe ekspertët ndërkombëtarë të OPDAT dhe Euralius.
Sips Bushkës, projeksioni i këtyre ndryshimeve do të jetë përshpejtimi i plotësimit të vakancave në sistemin e ri të drejtësisë.
Edhe anëtari i opozitës në këtë grup, Gazmend Bardhi pranoi se ndryshimet lindën si nevojë e kërkesave që kanë bërë vetë organet e drejtësisë për shkak të problematikave që kanë hasur në punën e tyre.
“Institucionet kanë përcjellë disa propozime për ndërhyrje ligjore në funksion të efiçencës së tyre dhe për të bërë një proces të pakontrolluar nga njëra palë, komisioni vendosi të ngrejë një grup të përbashkët për të vlerësuar nëse këto kërkesa e ndihmojnë dhe e çojnë përpara reformën në drejtësi,” tha Bardhi.
Bardhi shtoi se propozimet e ardhura nuk prekin thelbin e ligjeve të sistemit të drejtësisë, por synojnë në pjesën dërrmuese të tyre rritjen e eficencën e sistemit
“Është detyrë e Kuvendit që t’i japë mundësinë sistemit që të funksionojë me eficencë të plotë dhe pse jo t’i heqë alibinë për vonesat e krijuara në produktin që shqiptarët presin nga zbatimi i reformës në drejtësi,” shtoi Bardhi.
Gjatë raportimeve në Komisionin e Ligjeve propozimet e diskutuara nga krerët e organeve të drejtësisë kishin të bënin kryesisht me gjetjen e mekanizmave për të zhbllokuar procesin e plotësimit të vakancave me gjyqtarë, inspektorë dhe këshilltarë ligjorë.
Burime nga grupi i punës i thanë BIRN-it se është bërë një takim formal mes deputetëve, drejtuesve të organeve të drejtësisë dhe ekspertëve të huaj ku janë diskutuar paraprakisht disa prej propozimeve për ndryshime ligjore.
Një propozim ka të bëjë me lejimin e magjistratëve që të punojnë si gjyqtarë, në vitin e tretë të shkollës, ose siç njihet si viti i praktikës, duke gjykuar çështje me kompleksitet të ulët.
Ndryshime kërkohen dhe për procesin e vetingut të magjistratëve, ku propozohet që të bëhet vetëm një veting para pranimit në Shkollën e Magjistraturës dhe të hiqet vetingu i dytë para emërimit të tyre, pasi shihet si zgjatje e procesit të emërimit.
Për mungesën e kandidatëve për këshilltarë ligjorë në sistem do të shihet mundësia që atyre t’u jepet e drejta për t’u bërë gjyqtarë pas 5 viteve përvojë pune në sistem.
Ndërkohë, Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë ka sjellë propozime për ndryshime ligjore që kanë të bëjnë me ndryshimin e kritereve të kandidatëve, duke kërkuar barazim në pagë mes inspektorëve nga jashtë sistemit me ata magjistratë.
Reforma në Drejtësi u miratua në vitin 2016 me konsensus politik, por pas 6 vitesh, organet e reja të drejtësisë vijojnë të kenë problematika me funksionimin e tyre të plotë dhe të plotësimit të vakancave me gjyqtarë e prokurorë për shkak të procesit të vetingut.
(Reporter.al)