Beograd, 8 qershor 2024 – Qeveritë e Serbisë dhe Republikës Sërpska (entitetit serb në Bosnjë e Hercegovinë) e kanë miratuar të shtunën “Deklaratën për mbrojtjen e të drejtave kombëtare e politike dhe për të ardhmen e përbashkët të popullit serb”.
Kjo deklaratë u miratua në seancën e përbashkët të dy qeverive të mbajtur në Beograd, në kuadër të “Kuvendit Panserb”, me moton “Një popull, një Kuvend. Serbia dhe Sërpska”
Ajo e shpreh hapur aspiratën e elitave politike e fetare serbe për krijimin e “botës serbe” ngjashëm me idenë e kriojimit të “botës ruse”.
Deklarata i përcakton hapësirat ku jetojnë serbët si “një entitet unik” dhe se populli serb që, sipas deklaratës, dikur i ka pasur disa shtete, “ka të drejtë ta trashëgojë traditën e tij të pasur”.
“Kuvendi Panserb konstaton se populli serb përbën një entitet unik. Gjatë historisë, populli serb ka pasur më shumë shtete me emërtime të ndryshme dhe ka të drejtë ta trashëgojë traditën e tij të pasur”, thuhet në deklaratë.
Kosova është një ndër pikat kryesore të deklaratës. Ndër të tjera, aty thuhet se Kosova (në tekstin e deklaratës: “Kosova e Metohija”) është pjesë e patjetërsueshme e Serbisë dhe njëri ndër përcaktuesit kryesorë të identitetit kombëtar të serbëve.
“Kuvendi Panserb konstaton se Kosova e Metohia është pjesë e patjetërsueshme e Republikës së Serbisë, një nga përcaktuesit e identitetit kombëtar të serbëve, që përbën themelin e botës shpirtërore të popullit serb dhe gurin e themelit dhe rrugës së besëlidhjes së Shën Savës. Kuvendi Panserb insiston në përdorimin e emrit të plotë të provincës jugore serbe – Kosova e Metohija, të cilin secesionistët shqiptarë e shmangin”, thuhet në deklaratë.
Sipas deklaratës, Kuvendi Panserb duket se ka hequr dorë nga ideja për shkëputjen e Republikës Sërpska nga Bosnja e Hercegovina, e cila promovohet tash sa kohë nga autoritetet e këtij entiteti dhe në Beograd.
Në deklaratë thuhet se Republika Sërpska “është e kënaqur me shkallën e lartë të autonomisë së përcaktuar me Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit”, prandaj “insiston në zbatimin thelbësor dhe formal” të kësaj marrëveshjeje.
Në deklarata thuhet se Kuve ndi Panserb i nderon “të gjitha viktimat që kanë vdekur gjatë luftës në Bosnjë e Hercegovinë, si edhe të gjitha viktimat që kanë vdekur gjatë luftërave në territorin e ish-Jugosllavisë”, por nuk e pranon Rezolutën për Gjenocidin në Srebrenicë, të ,iratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara.
Në Kuvendin Panserb, siç thuhet në deklaratë, përfaqësohen serbët që jetojnë në të gjitha shtetet e dala nga ish-Jugosllavia (me përjashtim të Kosovës e cila konsidëerohet pjesë e Serbisë) dhe serbët që jetojnë në të gjitha kontinentet e botës.
Deklarata i ka 49 pika, në të cilat përshkruhen edhe organet e Kuvendit Panserb, përbërja e tyre si edhe detyrat dhe përgjegjësitë e secilës.
(r.m.)