Laçi bën histori, fiton Kupën e Shqipërisë

Për herë të parë në histori, Laçi, një qytet relativisht i vogël, la pas emrat e mëdhenj të futbollit shqiptar duke fituar Kupën e Shqipërisë.
Përballë Laçit në finale luante një tjetër ekip “i vogël”, “Bylis” i Ballshit, që gjithashtu synonte të bënte histori.
Përveç rëndësisë simbolike, fitorja e Kupës së Shqipërisë, do t’i japë mundësi :Laçit që të konkurrojë sezonin e ardhshëm në Ligën Europa (Europa League) si dhe siguroi çmimin e lakmuar prej 200 milionë lekëve (200,000 dollarë) që mund të sjellin një ndryshim të madh në fuqinë ekonomike të klubit.
Ndeshja zgjati për 120 minuta pasi koha e rregullt pëfundoi pa gola. Ballshianët luajtën vetëm me 10 vetë nga kartoni i dytë i verdhë i marrë nga Arifaj që në minutën e 20. Me 10 lojtarë formacioni i Shensojit, ka ndryshuar strategji, duke i besuar kundërsulmit me dy lojtarët afrikanë Izucuku dhe Olayinka. Kjo taktikë ka dhënë rezultat, sepse bllokimi i Vucajt në mesfushë ka asfiksuar lojën e Lacit, që nuk shfaqet pothuaj asnjëherë rrezikshëm në pjesën e parë.
Edhe në pjesën e dytë, Laçi nuk ka mundur të shënojë, por ka rrezikuar shumë më tepër, duke goditur edhe shtyllën në minutën e 55-të.
Në kohën shtesë, 10 lojtarët e Bylisit nuk kanë më fundi nga mbilodhja. Shpresojnë që çështja të zgjidhet me penallti. Por vetëm dy minuta para mbarimit goli i mbrojtësit kurbinas, Emiliano Çela sjell fitoren.
Trajneri Stavri Nica e ka fituar këtë kupë dikur me Teutën e Durrësit. Tani ka përsëritur suksesin me Laçin duke dëshmuar kredencialet e tij edhe një herë në Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa” ku luhen tashmë tradicionalisht ndeshjet finale të Kupës.