Nga Këze Kozeta Zylo
Laert Sallaku nderohet me çmim nga z. Eric Adams Kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut dhe në shenjë respekti Adams ngriti të dyja duart duke bërë shqiponjën, simbolin e shqiptarëve
Laert Sallaku ky bir shqiptarësh në New York u diplomua me mesataren më të lartë mes 600 oficerëve të policise të sapo diplomuar. Ai u rendit i pari, duke mbajtur fjalimin e tij si studenti më i mirë. Në ceremoni, ai tregoi rrugëtimin e tij, që e nisi qysh në shkollë të mesme.
Laert Sallaku ishte gjimnazist, kur u largua nga Tirana, më 2017.
Laert Sallaku, tashmë 23-vjeç, u diplomua si oficer i policisë në New York me mesataren 9.96, më të lartë ndër të gjithë studentët.
Gjatë fjalimit të tij si (valedictorian) ndër të tjera ai tha:
“Rrugëtimi im për tu bënë një oficer i Nju Jorkut filloi rreth 6 vite më para kur në moshën
17-vjeçare emigrova në Nju Jork. Si një emigrant i ri u përballa me diversitetin dhe karakterin gjithëpërfshirës të qytetit ku menjëherë u ndjeva i pranuar dhe se e kisha vendin këtu”.
Duke dëgjuar fjalimin e tij me shumë emocion u ndjeva tejet krenare për suksesin e tij dhe natyrisht i dëshirojmë një karierë të shkëlqyer në Forcat e Policisë në Amerikë.
Dhe siç thotë shkrimtari botëror Walt Whitman se:
“Keep your face toward the sunshine and shadows will always fall behind you.” Që përkthehet:
Mbajeni fytyrën drejt rrezeve të diellit dhe hijet do të bien gjithmonë pas jush.”
Jam e sigurtë se Laerti si një oficer policie do të ndikojë pozitivisht në zonën ku shërben si një e tërë. Ai do të mbrojë komunitetin ose lagje të caktuara dhe do të punojë për të ulur shkallën e krimit. Laerti më jep bindjen se si një oficer i ri policie do ta mbajë komunitetin të sigurt nga njerëzit që po kryejnë krime të shumta.
Zonja Lumturi Sallaku, nëna e Laert Sallakut, oficerit të policisë të sapodiplomuar, gjatë shkëmbimit të mesazheve me të ishte tejet krenare. Ajo ishte shumë e prekur dhe tha se kam ndjerë shumë emocione për Birin gjatë fjalimit në ceremoni, për dashurinë që shprehu për Shqipërinë dhe mirënjohjen për Amerikën.
NYPD u krijua, më 1845, dhe sot, është përgjegjëse për ruajtjen e një qyteti me 8.5 milionë banorë, duke kryer një shumëllojshmëri të gjerë të roleve të sigurisë publike, zbatimit të ligjit, menaxhimit të trafikut, kundërterrorit dhe reagimit emergjent.
Kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut Eric Adams e quajti një ditë shumë të rëndësishme pasi dhe ai vite më parë është betuar që të jete anëtar i Departamentit të Policisë së Tranzitit të Nju Jorkut, dhe më vonë për t’iu bashkuar Departamentit të Policisë së qytetit të Nju Jorkut.
Laert Sallaku është histori suksesi në Diasporë dhe në Amerikë dhe bëhet një shembull frymëzues për Kombin, fëmijët që lindin jashtë Atdheut si dhe për shumë oficerë që punojnë për zbatimin e ligjit, si në komunitetin shqiptaro-amerikan dhe më gjerë.
10 maj, 2024
Staten Island, New York