Lajçak arrin nesër në Kosovë, do të takohet me Kurtin dhe me liderët e opozitës

Prishtinë, 26 qershor 2022 – Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, do të arrijë të hënën në Kosovë, kn nga 27 deri më 29 qershor.

Zyra e BE-së në Prishtinë njoftoi se gjatë vizitës dy ditëshe të tij në Kosovë, Lajçak do të takohet me kryeministrin Albin Kurti, me liderë të partive kryesore opozitare dhe me përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë.

“Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për Dialogun Beograd-Prishtinë dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak, do të vizitojë Kosovën nga 27 deri më 29 qershor. Gjatë vizitës së tij Lajçak do të takohet me kryeministrin Albin Kurti, si dhe me liderë të partive kryesore opozitare dhe përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë”, thuhet në njoftim.

“Gjatë qëndrimit në Kosovë, ai planifikon ta vizitojë edhe Prizrenin dhe veriun e Kosovës. Fjalimi për media i Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian, Lajçak, është planifikuar për të mërkurën, më 29 qershor. Detajet do të ndahen me përfaqësuesit e mediave të martën, më 28 qershor”, thuhet në njoftimin e zyrës së BE-së në Kosovë.

(r.m.)