Lajçak bisedoi me Kurtin e Vuçiqin për hapat e ardhshëm të dialogut

Bled (Slloveni), 1 shtator 2021 – Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, është takuar të mërkurën me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për hapat e ardhshëm në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës e Serbisë.

Takimet janë realizuar në margjina të Forumit Strategjik të Bledit, në Slloveni.

Lajçak i ka cilësuar këto takime si “të rëndësishme dhe substanciale”.

“Në margjina të Forumit Strategjik të Bledit 2021 i kam zhvilluar dy takime të ndara, të rëndësishme dhe substanciale me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për të diskutuar për hapat tjerë në javët e ardhshme në kuadrin e Dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis tyre”, ka shkruar Lajçak në Twitter. 

Ndërkaq, kryeministri Kurti ka njoftuar se në takim me Lajçakun është diskutuar edhe për perspektivën europiane për vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Ne diskutuam për marrëdhëniet BE-Ballkan Perëndimor, si edhe për takimet e mëparshme dhe të ardhshme të dialogut me Miroslav Lajçakun në Forumin Strategjik të Bledit. Ne u pajtuam për rëndësinë e afrimit të perspektivës europiane për njerëzit dhe se procesi i zgjerimit të BE-së në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor nuk ka alternativë”, ka shkruar Kurti në Twitter.

Kështu, Kurti ka lënë të kuptohet se asnjë nismë, pra as “Open Balkan”, nuk mund të zëvendësojë procesin e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

Kurti është kundërshtar më i madh i nismës “Open Balkan”, të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, dhe kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

Edhe i dërguari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka shprehur rezerva ndaj nismës “Open Balkan”. Tri ditë më parë, në Forumin e Alpbachut në Vjenë, ai ka thënë se kjo është “një iniciativë e pashëndetshme që i bën konkurrencë proceseve të integrimit evropian”.

(r.m.)