Prishtinë, 21 tetor 2023 – Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, ka thënë të shtunën në Prishtinë se deeskalimi i gjendjes dhe normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë janë “më urgjente së kurrë më parë”.
“Çfarëdo kushti apo çfarëdo vonese për normalizimin e marrëdhënieve është e papranueshme”, ka theksuar ai, pas takimit që patën me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ai dhe diplomatët e SHBA-së, Gjemanisë, Francës dhe Italisë.
“Ne presim nga Kosova dhe Serbia që t’i plotësojnë tërësisht detyrimet e tyre brenda dialogut. Ngjarjet e 24 shtatorit nuk e ndryshojnë faktin se Kosova dhe Serbia bënë marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve në fillim të këtij viti”, tha Lajcak, duke iu referuar sulmit kundër Policisë së Kosovës nga një grup serbësh të armatosur në veri të Kosovës, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.
Lajçak theksoi se Kurti, si kryeministër i Kosovës, “ka përgjegjësi të bëjë përparim në normalizimin e marrëdhënieve, nëse Kosova dëshiron të bëjë përparim drejt Bashkimit Evropian”.
Ai bëri thirrje për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
“Këtu, ne duhet ta nënvizojmë nevojën për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë pa asnjë vonesë tjetër. Pa këtë, nuk do të ketë përparim në rrugën evropiane të Kosovës” paralajmëroi Lajçak.
Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi tha se ai, i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe përfapësuesit e Francës, Emanuel Bonne, Gjermanisë, Jens Plotner dhe Italisë, Francesco Talo, kanë ardhur me një plan për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë, por nuk dha ndonjë detaj.
“Ne gjithmonë e kemi një plan. Pra, ne e kemi një plan dhe ne e diskutuam këtë plan me Kryeministrin Kurti. Do ta diskutojmë edhe me presidentin Aleksandar Vuçiq sot më vonë. Tani nuk do të jap më shumë hollësi”, ka thënë Lajçak.
Ai ka lënë të kuptohet se Kurti ka shprehur gatishmëri për vazhdimin e dialogut, ndonëse kryenegociatori i Kosovës për dialogun, Besnik Bislimi, ka thënë se së pari duhet të hiqen masat ndaj Kosovës.
Lajçak ka folur edhe për momentumin e krijuar pas sulmit terrorist të serbëve në Banjskë. Ai ka thënë se ky sulm e ka bërë edhe më të rëndësishëm dialogun mes Kosovës e Serbisë, të cilin e ka cilësuar “rruga e vetme për dy vende me aspirata evropiane”.
“Dialogu është më i rëndësishëm së kurrë, sepse nëse nuk ka dialog mund të përsëritet eskalimi dhe kjo nuk është ajo çka duam ne dhe as çka doni ju. Prandaj jemi këtu. E dyta, nuk ka alternativë tjetër pos dialogut, sepse dialogu sjell normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë dhe e hap rrugën evropiane për Kosovën dhe Serbinë”, ka thënë Lajçak.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk është prononcuar pas takimit. Kabineti i tij ka thënë se në takim është diskutuar për zbatimin e Marrëveshjes Bazike për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë, por as në njoftimin e kabinetit nuk janë dhënë hollësi.
“Në takim u bisedua për normalizimin e marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, përkatësisht zbatimin e Marrëveshjes Bazike (Bruksel, 27 shkurt) dhe Aneksit të Implementimit të tij (Ohër, 18 mars). Kryeministri theksoi që është i nevojshëm reflektimi cilësor dhe një qasje e re. Të pesë emisarët ofruan planin e tyre të ri për ecjen përpara, për çfarë Kryeministri shprehu falënderimet dhe vlerësimet e tij. Diskutimet duhet të vazhdojnë intensivisht”.
Kabineti kryeministrit ka thënë se Kurti e ka vënë theksin te siguria në Kosovë.
“Ai theksoi që prioritet kryesor dhe çështje urgjente për Republikën e Kosovës është siguria e shtetit dhe e qytetarëve, e kufijve dhe e territorit. Pas sulmit terrorist dhe kriminal të 24 shtatorit të kryer nga grupe paramilitare me sponsorim dhe pjesëmarrje të Serbisë, ndëshkimi është vendimtar për mospërsëritje”, thuhet në njoftimin e zyrës së Kurtit.
Pas vizitës në Prishtinë, pesëshja e diplomatëve unis për në Beograd, ku do të takohen me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Burime diplomatike në Bruksel kanë thënë për Radion Evropa e Lirë se me këtë vizitë synohet që alëve t’u të dërgohet mesazh i qartë se ekziston unitet mes Shteteve të Bashkuara dhe BE-së për zbatimin e Marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve, të arritur në shkurt të këtij viti në Bruksel.
SHBA-ja dhe BE-ja kanë bërë thirrje për zbatim “të shpejtë dhe pa kushte” të Marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë dhe që dy vendet t’i kthehen dialogut.
Ky qëndrim është shprehur të premten në Uashington, në takimin e Presidentit amerikan Joe Biden dhe Sekretartn të Shtetit, Antony Blinken, me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, presidentin e Këshillit Evropian Charles Michel, dhe përfaqësuesin e lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.
“Nënvizojmë nevojën që Kosova dhe Serbia urgjentisht t’i ulin tensionet dhe që shpejt dhe pa kushte ta zbatojnë Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të raporteve midis tyre dhe të kthehen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja“, thuhej ndër të tjera në deklaratën e përbashkët.
(r.m.)