Lajçak dhe emisarët e Scholzit e Macronit zhvilluan bisedime me Kurtin

Prishtinë, 9 shtator 2022 – I dërguari i Posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, dhe këshilltarët e sapoemëruar të Kancelarit të Gjermanisë, Olaf Scholz, dhe Presidentit të Francës, EmmanuelMacron, për dialogun, Jenns Plettner dhe Emmanuel Beaune, u takuan të premten në Prishtinë e Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Pas takimit, Lajçak ka thënë se me Kurtin kanë diskutuar se si ta çojnë përpara dialogun, por nuk ka dhënë detaje për bosedën. Ai ka thënë se këtë do ta bëjë pas takimit edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, sot gjatë ditës.

“Diskutuam për dialogun dhe rreth asaj se si ta qojmë procesin përpara. Ishte një diskutim i rëndësishëm dhe besoj se mund ta kuptoni se nuk mund t’i bëjmë të ditura detajet sepse të njëjtat diskutime do t’i kemi sot edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq”, ka thënë Lajçak.

Ndërkaq, Zyra e Kryeministritm në një komunikatë për medie, ka shkruar se Kurti ka thënë se Kosova ka dëshmuar vullnetin dhe gatishmërinë e për “një dialog parimor dhe të përgatitur mirë”.

“Kryeministri Kurti ritheksoi se qëllimi i dialogut, nga i cili duhet të përfitojnë qytetarët e të dyja vendeve, duhet të jetë arritja e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme me njohjen reciproke në qendër”, thuhet në komunikatë.

“Gjatë takimit u bisedua për nevojën e përpjekjeve edhe më të fuqishme nga të gjithë akterët që perspektiva evropiane të bëhet realitet për shtetet e Ballkanit Perëndimor”, thuhet në komunikatën e zyrës së Kryeministrit të Kosovës.

Pas qëndrimit në Kosovë, Lajçak dhe dy këshilltarët e Kancelarit Scholz dhe Presidentit Macron do të shkojnë në Beograd, ku do të takohen me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Qëllimi i vizitës së tre diplomatëve evropianë është shqyrtimi i opsioneve për përparim në dialogun për normalizimin e marrëdhnieve mes Kosovës e Serbisë.

Më 4 shtator, Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, dhe Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, autorizuan këshilltarët që të ndihmojnë dialogun,I cili ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Në një letër dërguar Kurtit dhe Vuçiqit, Macron dhe Scholz thanë se normalizimi i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë është thelbësor për Ballkanin Perëndimor. Ata u bënë thirrje liderëve të Kosovës dhe Serbisë që të tregojnë vendosmëri dhe gatishmëri maksimale për të ndërmarrë vendime të vështira, të cilat, siç thanë ata, çojnë drejt përparimit të dialogut.

(r.m.)