Bruksel, 20 prill 2023 – Emisari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, ka njoftuar se të enjten në Bruksel është takuar me komandantin e KFOR-it, gjeneral-majorin Angelo Ristuccia.
Lajçak, në njoftimin e publikuar në Twitter, ka bërë tëditur se nga gjenerali Ristuccia është informuar për situatën e sigurisë në veri të Kosovës në prag të zgjedhjeve lokale.
“Jam takuar me komandantin e KFOR-it, gjeneral-majorin Ristuccia sot në Bruksel për të shkëmbyer të reja në fushat tona përkatëse të përgjegjësisë. Jam falënderues për bashkëpunimin tonë të ngushtë dhe për informatat e vlefshme për situatën e sigurisë në veri të Kosovës”, ka shkruar Lajçak.
I met with the Commander of @NATO_KFOR Major General Ristuccia in Brussels today to exchange updates on our respective areas of responsibility. I am grateful for our close cooperation and his valuable insights into the security situation in the north of Kosovo. pic.twitter.com/gPdRtXirYI
— Miroslav Lajčák (@MiroslavLajcak) April 20, 2023
Të dielën, më 23 prill, do të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale në katër komunat veriore të Kosovës, të banuara me shumicë serbe (Mitrovicë Veriore, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq). Këto zgjedhje mbahen për shkak të dorëheqjes së kryetarëve të komunave dhe anëtarëve të asambleve komunale, në shenjë proteste ndaj vendimit të qeverisë së Kosovës për regjisytrim në Kosovë të automjeteve të serbëve lokalë të regjistruara në Serbi.
Lista Serbe, e cila ka qeverisur në këto katër komuna, ka vendosur t’i bojkotojë këto zgjedhje, duke shtruar kushte te papranueshme për institucionet shtetërore të Kosovës, në radhë të parë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe që do të kishte kompetenca ekzekutive.
Udhëheqja e Listës Serbe dhe shefi i saj në Beograd, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u kanë bërë thirrje serbëve që t’i bojkotojnë këto zgjedhje.
Disa nga kandidatët serbë për kryetar të komunës apo asamblenë komunale janë tërhequr nga gara pasi janë certifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Besohet se këto dorëheqje janë bërë për shkak të presioneve që është ushtruar ndaj tyre nga Beogradi. Vetë kandidatët nuk e kanë thënë këtë shprehimisht, për shkak të frikës se do të kenë pasoja,
(r.m.)