Prishtinë, 26 janar 2023 – I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë- Serbi, Mirosllav Lajçak, ka thënë se është kthyer të mërkurën në Kosovë, për të diskutuar hapat e radhës për normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve.
Ai e ka publikuar një fotografi në rrjetin social, Twitter, me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe zëvendëskryeministrin Besnik Bislimin, gjatë darkës së punës.
Back in Kosovo today to continue my frank, open and intense discussions with PM @albinkurti and DPM @BislimiBesnik on next steps and the way forward on normalisation of relations with Serbia. We also agreed that all past Dialogue Agreements must be fully implemented. pic.twitter.com/zURabtdEmF
— Miroslav Lajčák (@MiroslavLajcak) January 25, 2023
“Ne jemi pajtuar që të gjitha marrëveshjet e kaluara që janë arritur në dialog, duhet të zbatohen plotësisht”, ka thënë mes tjerash Lajçak.
Diplomatët në Bruksel pohojnë se edhe këtë vizitë duhet parë si vazhdim të përpjekjeve dinamike për të bindur palët që të pranojnë propozimin evropian për marrëveshjen bazë për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.
Lajçak, por edhe shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, publikisht kanë mirëpritur qëndrimet e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, sa i përket propozimit evropian, apo siç njihet edhe si plani franko-gjerman. Kjo gjë lë përshtypjen se tani duhet të punohet më shumë edhe me përfaqësuesit e Kosovës.
Më 23 janar, Vuçiq deklaroi se propozimi i BE-së është kornizë e re negociuese për Serbinë.
Propozimi i BE-së u është dorëzuar palëve në fund të verës, por përmbajtja e tij nuk është bërë publike.
(REL)