Lajçak: Duhet të përshpejtohet zbatimi i marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë

Prishtinë, 18 qershor 2024 – I dërguari i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak bëri thirrje të martën të përshpejtohet zbatimi i marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndëmrjet të dyja vendeve që u arrit vitin e kaluar në Bruksel dhe në Ohër.

Ai i bëri këto komente pas takimit me kryenegociatorin e Kosovës Besnik Bislimi, në Prishtinë, nga ku nesër do të shkojë në Beograd.

“Qëllimi i vizitës sot në Prishtinë e nesër në Beograd ka të bëjë me mënyrën e ri përqendrimit në procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe çfarë hapash konkret do të ndërmarrim. Sigurisht kemi marrëveshje, por duhet të përshpejtojmë zbatimin e saj”, tha zoti Lajçak, ndërsa theksoi se do të vazhdojë të qëndrojë në postin e ndërmjetësuesit deri në fillim të vitit të ardhshëm.

“Nuk mendoj që është vizita ime e fundit në Prishtinë pasi që më është kërkuar që të vazhdojë deri në fund të janarit. Pra ka ende mjaft kohë dhe punë që duhet të bëjmë”, tha ai.

Kryenegociatori i Kosovës Besnik Bislimi nëpërmjet një komunikate të zyrës së tij citohet të ketë nënvizuar “rëndësinë e nënshkrimit si dhe zbatimit në plotni të marrëveshjeve, përmes një plani të sekuencimit të balancuar, të barabartë dhe të drejtë për palët”.

Komunikata citoi zotin Bislimi të ketë thënë se “Serbia në vazhdimësi e ka shkelur marrëveshjen në shumicën e neneve të saj, veçanërisht nenin 4 të saj kur ka votuar e lobuar kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, e po ashtu dhe përmes letrës së ish-kryeministres Bërnabiç në dhjetorin e kaluar”.

https://x.com/BislimiBesnik/status/1803152865696825845?ref_src=twsrc%5Etfw%7Ctwcamp%5Etweetembed%7Ctwterm%5E1803152865696825845%7Ctwgr%5E93b58679e97c1f6e6761f76f18124a13a5b272b5%7Ctwcon%5Es1_&ref_url=https%3A%2F%2Fwww.zeriamerikes.com%2Fa%2F7661119.html

Në muajin mars të këtij viti u mbush një vit që kur Kosova dhe Serbia u pajtuan për një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve, por zbatimi i saj ende nuk ka filluar.

Në tetorin e vitit të kaluar zyrtarët më të lartë evropianë i kërkuan Kosovës themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa Serbisë përmbushjen e pjesëve të marrëveshjes që çon në njohjen ‘de facto’ të Kosovës.

Në muajin prill ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian miratuan ndryshimet në kapitullin 35 të negociatave të anëtarësimit të Serbisë, duke i bërë pjesë të tij detyrimet që dalin nga marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën që u arrit vitin e kaluar në Bruksel dhe në Ohër.

Ndërsa Kosova dështoi në muajin maj të anëtarësohet në Këshillin e Evropës pasi që autoritetet nuk pranuan kërkesat e vendeve kryesore evropiane për të dërguar projekt statutin për themelimin e Asociacionit për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.

Që nga arritja e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë situata në veri të vendit është përshkuar me tensione dhe autoritetet ndërkombëtare po u bjënë thirrje palëve që të shmangin veprimet që mund të tendosin edhe më tej situatën, përfshirë paralajmërimet e autoriteteve për mundësinë e rivendosjes së lirisë së lëvizjes së makinave nëpër urën kryesore mbi lumin Ibër, që shënon edhe vijën ndarëse me komunën e Mitrovicës së Jugut.

I dërguari i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak tha se çështja e urës mbi lumin Ibër është e zgjidhur me dy marrëveshje të arritura në Bruksel.

“Pozicioni i Bashkimit Evropian ka qenë që ura duhet të hapet, mirëpo duhet bërë në një mënyrë që nuk përshkallëzon situatën në terren dhe ideale do të ishte të diskutohej me njerëzit që preken nga ky vendim”, tha zoti Lajçak.

Aktualisht ura shfrytëzohet vetëm për lëvizjen e këmbësorëve, ndërsa ruhet nga forcat e policisë dhe ato të misionit paqeruajtës të NATO-s.

Paralajmërimet patën ngjallur reagimin e partive politike serbe në këtë zonë dhe thirrjeve të Bashkimit Evropian që kjo çështje të trajtohet në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi në Bruksel.

(Zëri i Amerikës)