Lajçak e Bislimi biseduan për Marrëveshja Bazë dhe për çshtjen e dinarit serb

Prishtinë, 5 mars 2024 – I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, dhe zëvendëskryeministri iKosovës, Besnik Bislimi, biseduan të martën në Prishtinë për çështjet e hapura mes Kosovës e Serbisë, me fokus në Marrëveshjen Bazë drejt normalizimit dhe çështjen e ndalimit të përdorimit të dinarit serb në transaksione me para të gatshme.

Pas takimit, Lajçak tha se çështja më e rëndësishme e diskutimeve ishte ajo e zbatimit të Marrëveshjes Bazë. Ai tha se zbatimi i marrëveshjes është në interest ë të dyja palëve.

“Kemi një listë të gjatë të çështjeve për të cilat kemi diskutuar, por më e rëndësishmja është zbatimi i Marrëveshjes Bazë. Është në interesin e të gjithëve që të shohim përparim më të shpejtë në këtë drejtim”, tha ai.

“Kjo marrëveshje është marrëveshja më e mirë që mund të siguronin Kosova dhe Serbia. Jam shumë i sigurt për këtë. Nëse do të kishte marrëveshje më të mirë, ajo veçse do të ishte propozuar. Prandaj, është në interesin e të gjithëve që të nisin zbatimin e saj. Me këtë marrëveshje ne kemi përgjigje në pyetjet se si, çfarë të bëjmë dhe kur ta bëjmë. E vetmja pyetje që mbetet është se kur dhe unë pyes: Pse të presim? Kjo marrëveshje është e mirë dhe duhet të nisë së zbatuari”, tha Lajçak.

Ai theksoi se Marrëveshja Bazë, me të cilën dy palët janë pajtuar në Bruksel dhe në Ohër është ligjërisht e obligueshme, pavarësisht se palët nuk e kanë nënshkruar atë.

Lajçak tha se në takim me Bislimin ishte biseduar edhe për çështjen e rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës që e ndalon përdorimin e dinarit serb në Kosovë. Ai tha se gjatë takimit është diskutuar për disa elemente të rregullores, për të cilat ishte diskutuar edhe në takimin e ekspertëve të Kosovës e Serbisë në Bruksel, javën e kaluar.

“E dini që javën e kaluar në Bruksel e kemi pasur një takim në nivel ekspertësh. Takimi ishte konstruktiv dhe arritëm të gjenim përgjigje për disa çështje. Por, janë disa çështje që shkojnë përtej mandatit të këtyre ekspertëve dhe i kemi diskutuar këto çështje me Bislimin. Komunikimi ynë do të vazhdojë dhe në ditët në vijim planifikoj të organizoj një takim të ri në nivel të kryenegociatorëve”, tha ai.

Ndërkaq, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, përmes një njoftimi për media, tha se nënshkrimi i Marrëveshjes Bazë do të ishte garanci për pranimin dhe zbatimin e saj.

“Zëvendëskryeministri Bislimi ritheksoi se marrëveshja duhet të zbatohet përmes një plani të sekuencimit të drejtë, të barabartë e të balancuar mes palëve. Ai tha se nënshkrimi i marrëveshjes është garanci dhe për pranim e zbatim të saj”, thuhet në njoftim.

Zyra e Bislimit njoftoi se në takim me Lajçakun është përsëritur qëndrimi i Qeverisë së Kosovës edhe për rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës se kjo marrëveshje nuk është pjesë e negociatave në Bruksel.

“Qeveria e Kosovës është e interesuar të sigurojë vazhdimësinë e mbështetjes financiare të Serbisë për serbët e Kosovës në fushën e edukimit, shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Bislimit.

Në njoftim thuhet se Lajçak e Bislimi tanë diskutuar edhe për masat ndëshkuese që BE-ja ka vendosur ndaj Kosovës, për mundësitë e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, për zbatimin e Marrëveshjes për Energjinë, për çështjen e targave, telekomunikacionit dhe pasaportave që Serbia i lëshon për serbët në Kosovë.

(r.m.)