Bruksel, 7 shtator 2023 – I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialog, Miroslav Lajçak, tha të mërkurën vonë se u takua me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimin, për të biseduar rreth përgatitjeve për një takim të nivelit të larg të dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit javën e ardhshme.
“Ne e patëm një diskutim të gjatë dhe përmbajtjesor për t’u përgatitur për takimin e dialogut të nivelit të lartë javën e ardhshme”, shkroi Lajçaku në X, rrjetin social të njohur si Twitter dikur.
Ai theksoi se përqendrimi i tyre kryesor në takimin e 6 shtatorit në Bruksel ishte “si të përparojmë në normalizimin e marrëdhënieve”.
Thanks to DPM @BislimiBesnik for meeting in Brussels today. We had a long and substantive discussion in preparation of next week’s High-level Dialogue Meeting. Our main focus was on how to advance normalisation of relations. pic.twitter.com/yfdUbvLWPP
— Miroslav Lajčák (@MiroslavLajcak) September 6, 2023
Më 31 gusht, përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, tha se takimi i radhës i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të zhvillohet me 14 shtator.
Kurti dhe Vuçiq janë takuar për herë të fundit më 2 maj – nëntë ditë pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme në veri të Kosovës, të cilat janë bojkotuar nga popullata lokale serbe. Nga ajo kohë, mes dy vendeve ka pasur një sërë tensionesh dhe krizash.
Më 30 gusht, BE-ja përsëriti thirrjen për të dyja që të krijojnë një klimë për vazhdimin e dialogut.
Dy vendet, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, janë në bisedime për normalizimin e marrëdhënieve qysh në vitin 2011. Ndonëse kanë arritur dhjetëra marrëveshje në fusha të ndryshme, zbatimi i shumicës prej tyre ka ngecur.
(REL)