Lajçak e mirëpret reduktimin e pranisë së policisë në veri

Bruksel, 3 gusht 2023 – Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka mirëpritur vendimin për zvogëlimin e pranisë policore përreth objekteve komunale në veri të Kosovës, i cili është marrë në bazë të vlerësimit të përbashkët të situatës nga Policia e Kosovës, EULEX-i dhe KFOR-i.

Lajçak, në një postim në Twitter, e ka cilësuar këtë vendim si hap të rëndësishëm drejt de-eskalimit të plotë të situatës në veri.

”E mirëpres vlerësimin e parë të përbashkët të sigurisë që u bë sot nga Policia e Kosovës, EULEX-i dhe NATO-KFOR-I, siç është rënë dakord në Bratislavë. Ky është një hap i rëndësishëm drejt de-eskalimit të plotë të tensioneve në veri të Kosovës”, ka shkruar Lajçak.

Në bazë të vlerësimit të institucioneve të sigurisë, Policisë së Kosovës, EULEX-it dhe KFOR-it, të premten, më 4 gusht, fillon zvogëlimi i numrit të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës për 25 për qind në ndërtesat e komunane në pjesën veriore të Kosovës e përreth tyre.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ky vendim është marrë pas një takimi me përfaqësues të EULEX-it dhe të KFOR-it ku është bërë vlerësimi i situatës së sigurisë pjesën veriore të vendit. Në këtë takim është vlerësuar se situata e sigurisë në dhe rreth objekteve të komunave veriore është e mirë.

“Në bazë të këtij konstatimi të përbashkët, nga nesër fillon zvogëlimi i pjesëtarëve të Policisë së Kosovës për 25%, në dhe përreth objekteve komunale në veri. Ekipet e Policisë së Kosovës bashkë me EULEX dhe KFOR, do të vijojnë koordinimin dhe do të ndërmarrin veprimet e nevojshme sipas vlerësimit të rregullt të situatës së sigurisë në dhe përreth objekteve komunale, në komunat veriore të Republikës se Kosovës”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

(r.m.)