Lajçak: “Eletroserver” e KEDS kanë nënshkruar kontratë për furnizim me energji në veri

Bruksel, 9 dhjetor 2023 – I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, njoftoi të shtunën se kompania serbe “Elektrosever”, ka nënshkruar kontratë komerciale për furnizi, me energji në pjesën veriore të Kosovës me kompaninë kosovare për Distribuimin e Energjisë Elektrike (KEDS).

“E mirëpres nënshkrimin e sotëm të kontratës komerciale mes KEDS-it dhe Elektroserverit. Ky është hap i rëndësishëm në implementimin e Udhërrëfyesit për Energjinë të lehtësuar nga BE-ja dhe në rrugën e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”, ka shkruar ai në platformën X.

Lajçak nuk ka treguar se kur dhe ku është nënshkruar kjo kontratë dhe as nuk ka dhënë hollësi lidhur me të.

“Elektrosever” është në pronësi të kompanisë energjetike të Serbisë “EPS” (Elektroprivreda Srbije), por në Kosovë është themeluar me ligje të Kosovës. Kjo kompani është paraparë të bëjë furnizimin me energji të pjesës veriore të Kovës dhe të bëjë faturimin e energjisë së shpenzuar në këtë pjesë të Kosovës të banuar me shumicë serbe. Ajo e mori licencën për operim nga Zyra e Rregullatorit për Energji e Kosovës (ZRRE) më 24 qershor.

Më 21 qershor, Kosova dhe Serbia e nënshkruan udhërrëfyesin për zbatimin e Marrëveshjes për Energji, që ishte arritur më 2013 në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja.

Udhërrëfyesi thoshte se “Elektroserveri” do të nënshkruante marrëveshjet e nevojshme brenda afatit që nga lëshimi i licencës, por ishte kritikuar sepse s’po e bënte një gjë të tillë.

Marrëveshja për Energji parasheh që qytetarët në pjesën veriore të Kosovës të paguajnë për rrymën e shpenzuar nga vjeshta e vitit 2022, për herë të parë pas më shumë se dy dekadash.

Licencimi i saj është paraparë me Marrëveshjen midis Kosovës dhe Serbisë për Energjinë, e cila është arritur në vitin 2013, por pajtimi për zbatimin e kësaj marrëveshjeje, apo udhërrëfyesin, është arritur më 21 qershor 2022.

(r.m.)