Bruksel, 27 qershor 2023 – I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, dhe drejtori i përgjithshëm për zgjerim i Komisionit Evropian, Jan Koopman, kanë marrë pjesë në debatin për situatën në pjesën veriore të Kosovës në Komisionin për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian.
Lajçak ka thënë se situata në këtë pjesë të Kosovës është shumë e tensionuar dhe ka theksuar se Bashkimi Evropian “nuk mund të tolerojnë asnjë lloj destabiliteti në fqinjësi”. Ai ka theksuar se tani “është koha për deeskalim të situatës” atje.
Lajçak ka shpjeguar hapat konkretë që Bashkimi Evropian ua ka propozuar Kosovës dhe Serbisë për uljen e tensioneve në veri të Kosovës.
Lajçak ka dhënë detaje për kërkesat që u janë bërë palëve për shtensionimin e situatës në pjesën veriore të Kosovë. Ai ka thënë se hap i parë është tërheqja e kryetarëve të rinj të katër komunave veriore dhe e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga ndërtesat komunale, paralelisht me tërheqjen e protestuesve serbë para këtyre ndërtesave.
Lajçak ka thënë se hap i dytë është zhbllokimi i hyrjes së kamionëve me mallra nga Serbia në Kosovë, ulja e nivelit të gatishmërisë ushtarake dhe tërheqja e forcave të ushtrisë së Serbisë nga zona në afërsi të kufirit me Kosovën.
I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun ka thënë se përgjegjësit për dhunën e ushtruar në veri duhet të dalin para drejtësisë dhe se misioni i BE-së për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX) do të duhej të monitoronte proceset ndaj tyre.
Lajçak ka treguar se Bshkimi Evropian ka kërkuar edhe shpalljen e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, dhe që Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, të zotohet publikisht se do të marrë pjesë në këto zgjedhje. Ai ka thënë se po punohet në dy opsione për shpalljen e këtyre zgjedhjeve. Lajçak ka thënë se opsion i parë është dorëheqja e kryetarëve të komunave të kontestuar nga serbët, kurse opsion i dytë është peticioni i nënshkruar nga qytetarët. Sipas tij, opsioni i parë është “më i lehtë”, kurse opsioni i dytë është “më i përshtatshëm politikisht”.
Gjatë debatit, shumica e deputetëve të Parlamentit Evropian e kanë kritikuar qasjen e Bashkimit Evroian ndaj krizës në veri. Ata kanë thënë se për ngritjen e tensioneve po qortohet vetëm Kosova dhe po merren masa vetëm kundër saj, ndërsa për Serbinë nuk përmendet asnjë masë konkrete.
Deputetët e Parlamentit Evropian kanë kërkuar të përcaktohen edhe masat ndaj Serbisë, por kjo kërkesë është jeshtur si nga Lajçak ashtu edhe nga Koopman. Megjithatë, ata kanë thënë disa herë se Bashkimi Evropian “kërkon veprime dhe hapa konkretë nga të dyja palët”.
Duke iu përgjigjur kritikave të deputetëve se Bashkimi Evropian është i njëanshëm dhe po e “përkëdhel” Beogradin, Lajçak ka thënë se ai e kryen mandatin e tij “në mënyrë të paanshme” dhe se ai po kritikohet “nga të dyja palët”.
Ai ka mohuar kritikat e deputetëve se ka qenë i butë me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
“Unë jam mjaft i drejtpërdrejt në takime me ta. Por, qortimi publik dhe fajësimi do të ishte rrugë drejt katastrofës në dialog”, ka thëënë Lajçak,
Tensionet në pjesën veriore të Kosovës, të banuar me shumicë serbe, nisën më 26 maj, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit, hynë në ndërtesat komunale me mbështetjen e Policisë së Kosovës.
Serbët po e kundërshtojnë këtë dhe po zhvillojnë përditë protesta, duke kërkuar tërheqjen e kryetarëve të rinj dhe të njësive speciale policore nga ndërtesat e komunave.
Bashkësia ndërkombëtare ia ka paraqitur Kurtit tri kërkesa kryesore: qetësimin e situatës në veri, mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore dhe rikthimin në dialogun për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi.
Ndërkaq, Beogradit i është kërkuar të sigurojë që serbët të marrin pjesë pa kushte në zgjedhjet eventuale lokale.
Kurti ka paraqitur një plan pesë pikësh që parasheh edhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja, por për mbajtjen e tyre ka thënë se nevojitet funksionimi i shtetit ligjor në pjesën veriore të vendit.
(r.m.)