Lajçak është optimist se opozita nuk do ta kundërshtojë propozimin evropian

Prishtinë, 10 mars 2023 – I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, deklaroi të premten në Prishtinë se nuk është i shqetësuar nëse partitë politike opozitare do t’i thonë ‘jo’ marrëveshjes mes Kosovës e Serbisë të propozuar nga Bashkimi  Evropian. Madje, ai u shpreh optimist se partitë opozitare nuk do ta bëjnë një gjë të tillë.

Lajçak takoi të premten udhëheqjet e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK). Ai tha se udhëheqësit e opozitës i ka informuar në detaje me procesin e dialogun dhe dëgjuar qëndrimet e tyre lidhur me marrëveshjen.

“I informova për procesin, për pritjet e komunitetit ndërkombëtar. Ata shpjeguan qëndrimet e partive të tyre. Pra, e gjitha është pjesë e përgatitjeve për takimin e 18 marsit dhe është shumë e rëndësishme që ata të dëgjojnë nga unë, jo vetëm nga mediat apo në Parlament. Prandaj, për mua këto takime kanë përmbushur qëllimin”, tha Lajçak të premten në Prishtinë, pas takimeve në PDK, LDK e AAK.

I dërguari i Bashkimit Evropian tha se për të ishte e rëndësishme që të takohej me opozitën në kohën kur blloku evropian po përgatit takimin e radhës të dialogut mes Kosovës e Serbisë.

Miroslav Lajçak takoi të enjten Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministrin Albin Kurti, kurse të premten takoi drejtuesit e tri partive opozitare: PDK-së, LDK-së dhe AAK-së.

Udhëheqësit e PDK-së dhe LDK-së shprehën rezerva ndaj marrëveshjes së propozuar nga Bashkimi Evropian, për shkak se ajo nuk e përfshin njohjen reciproke, ndërsa udhëheqja e AAK-së e mbështeti këtë marrëveshje, duke e cilësuar si hap të rëndësishëm drejt normalizimit të marrëdhënieve midis Kosovës e Serbisë. 

Në fillim të javës që ardhshme Miroslav Lajçak do të shkojë edhe në Beograd për të biseduar me autoritetet serbe për planin e zbatimit të marrëveshjes së propozuar nga Bashkimi Evropian.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe Presidenti i Serbisë, Alekasandar Vuçiq, e kanë pranuar propozimin evropian, në takimin e tyre të fundit,  më 27 shkurt në Bruksel.

Bashkimi Evropian pret që ata ta nënshkruajnë udhërrëfyesin për zbatimin e kësaj marrëveshjeje në takimin e ardhshëm që do të mbahet më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

(r.m.)