Bruksel, 29 tetor 2024 – I dërguari evropian për bisedimet Kosovë-Serbi Miroslav Lajçak tha të martën se ndjehet optimist për disa përparime në procesin e bisedimeve Kosovë – Serbi, por pa dhënë hollësi për çfarë përparimesh bëhet fjalë.
Javën e kaluar ai ndërmjetësoi një takim midis kryenegociatorëve të të dyja palëve, pas të cilit u tha se nuk pati ndonjë përparim në përpjekjet për të filluar zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.
“Megjithëse nuk bëmë hapa përpara për këtë, unë jam optimist për disa përparime të arritura në disa çështje të tjera thelbësore, të cilat do t’i trajtojmë në javët e ardhshme”, shkroi zoti Lajçak.
https://www.facebook.com/LajcakMiroslav/posts/979790513970230?ref=embed_post
Serbia ngul këmbë në zbatimin e marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe ndërsa Kosova akuzon palën serbe se po këmbëngul në zbatimin e pjesshëm të marrëveshjes duke e vlerësuar këtë qëndrim si joserioz.
Të hënën, qeveria e Serbisë miratoi një projektligj që e shpallë Kosovën si zonë të mbrojtjes së veçantë sociale, me të cilin siç thuhet rregullohen të drejtat për mbrojtje të veçantë sociale dhe projektligjin për kompetencën e autoriteteve gjyqësore serbe në ndjekjen e veprave penale të kryera në territorin e Kosovës.
Këto projektligje qenë paralajmëruar nga presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç me 13 shtator, si masa pas shuarjes së institucioneve të Serbisë nga ana e autoriteteve të Kosovës në veri të vendit.
Kosova është gjetur nën kritikat e diplomacisë perëndimore për ato që janë cilësuar veprime të njëanshme dhe të pabashkërenduara në veri ku autoritetet mbyllën komunat paralele serbe të emëruara nga Beogradi, të cilat Prishtina i cilëson të paligjshme.
Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara po u bëjnë thirrje palëve që çështjet të diskutohen në kuadër të bisedimeve në Bruksel dhe të fillojnë zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve, për të cilën palët u morën vesh në Bruksel dhe në Ohër.
(Zëri i Amerikës)