Bruksel, 23 shkurt 2022 – Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka thënë se Kosova e Serbia janë afër arritjes së një marrëveshjeje për disa tema.
Megjithatë, ai është shprehur i rezervuar për shkak se, siç është shprehur, “shpesh, hapi i fundit është më i vështiri”.
“Pas 11 orë bisedimesh të vështira dje, jemi afër të arrijmë marrëveshje për disa dokumente. Por, siç ndodh shpesh, hapi i fundit është më i vështiri. Puna vazhdon”, ka shkruar Lajçak në Twitter.
After 11 hours of intense negotiations yesterday, we are close to reaching an agreement on some documents. But as so often, the last step is the most difficult one. The work continues.
— Miroslav Lajčák (@MiroslavLajcak) February 23, 2022
Lajçak u takua të martën ndaras me kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi dhe me atë të Serbisë, Petar Petkoviq. Por, as të martën nuk pati takim trepalësh, siç ka ndodhur zakonisht gjatë procesit të dialogut. Petkoviq e akuzoi Bislimin për dështimin e planit për takimtë përbashkët me Lajçakun.
Zyra e Kryeministrit të Kosovës njofton se në takimet dypalëshe të Bislimit me Lajçakun është diskutuar për ndriçimin e fatit të personave të zhdukur me forcë gjatë luftës në Kosovë, për çështjen e energjisë dhe për çështjen e targave të automjeteve.
Sipas njoftimit, në bisedimet për çështje të anergjisë “kanë shënuar progres, megjithatë mbeten ende detaje për t’u trajtuar”, ndërsa sa i përket çështjes së targave të automjeteve ka filluar procesi i finalizimit të marrëveshjes.
“Grupet teknike kanë filluar të finalizojnë propozimet e tyre përfundimtare. Takimet e grupeve teknike do të vazhdojnë deri në përzgjedhjen përfundimtare të opsioneve, sipas standardeve dhe praktikave të Bashkimit Evropian”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit të Kosovës.
(r.m.)