Bruksel, 7 shtator 2021 – Delegacionet e Kosovës dhe Serbisë për dialog, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian, të martën dhe të mërkurën do të zhvillojnë takime në Bruksel.
Gjatë të martës, pritet që delegacionet e të dyja shteteve të zhvillojnë takime me të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak dhe ekipin e tij, ndërkaq më 8 shtator do të zhvillohet një takim ndërmjet dy delegacioneve, me ndërmjetësimin e bllokut evropian.
I dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, tha se pret që të palët të gjejnë gjuhë të përbashkët.
“Sot dhe nesër, do të mbaj takime me delegacionet e Kosovës dhe Serbisë të udhëhequra nga Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq. Ka shumë çështje urgjente që duhet të diskutohen dhe unë pres që të gjendet gjuhë e përbashkët për të lëvizur përpara”, tha Lajçak.
Today and tomorrow, I will hold meetings with the delegations of Kosovo and Serbia led by their Chief negotiators Besnik Bislimi and Petar Petković. There are many urgent issues to be discussed and I expect to find a common understanding on the way forward.
— Miroslav Lajčák (@MiroslavLajcak) September 7, 2021
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka thënë se në këto takime do të diskutohen “çështjet aktuale” dhe për “rrugën përpara në vazhdimin e dialogut”. Ai ka thënë se blloku pret që palët të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në dialog, përfshirë edhe ato që kanë të bëjnë me vizitat zyrtare.
“Palët janë pajtuar për modalitete të qarta për shqyrtimin dhe zbatimin e vizitave zyrtare dhe kjo marrëveshje nuk do të duhej të politizohej. Vizitat nga të dyja palët duhet të bëhen në atë mënyrë që ndihmon procesin e normalizimit të raporteve dhe kontribon në punën e përgjithshme në kuadër të dialogut. U bëjmë ftesë palëve që të adresojnë dhe zgjidhin të gjitha mospajtimet, përfshirë vizitat zyrtare, në kuadër të dialogut dhe të promovojnë atmosferë e cila është në përputhje me pajtimin, stabilitetin rajonal dhe bashkëpunimin në dobi të qytetarëve”, ka thënë Stano.
Serbia ka shprehur pakënaqësi, pasi Kosova ia ka ndaluar shefit të ekipit serb për dialogun, Petar Petkoviqit vizitën në Kosovë.
Më 3 shtator, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, i tha Radios Evropa e Lirë se ia ndaloi hyrjen në Kosovë Petkoviqit, pasi në tri vizitat e fundit të tij, ai kishte bërë “deklarata provokuese” dhe “haptazi ka përdorur gjuhë të urrejtjes dhe nxitëse”.
Megjithatë, nga kjo Ministri nuk kanë sqaruar se cilat deklarata të Petkoviqit cilësohen si provokuese dhe nxitëse të urrejtjes.
Për ndalimin e vizitës së Petkoviqit, që sipas Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, ishte planifikuar që të zhvillohej më 3 dhe 4 shtator, pritet të bisedohet edhe gjatë takimeve në Bruksel.
Por, në Qeverinë e Kosovës kanë thënë se delegacioni që do të marrë pjesë në dialogun në Bruksel, që kryesohet nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, do të diskutojë me përfaqësuesit e BE-së për temat që kanë të bëjnë me zbatimin e Marrëveshjes për energji, asaj për targat e veturave dhe për personat e zhdukur me dhunë.
“Në takimin bilateral do të diskutohet për zbatimin e Marrëveshjes mbi energjinë dhe atë të tabelave të veturave, si dhe për çështjen e të zhdukurve me forcë. Kurse në atë trelateral, presim që të diskutojmë vetëm për çështjen të zhdukurve me forcë, si e vetmja temë për të cilën jemi dakorduar që të flasim”, tha për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.
Ndërkaq, shefi i ekipit negociator të Serbisë dhe njëherësh drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, tha se nga ky takim varet nëse do të ketë një raund të ri të dialogut në nivel politik.
Në prag të takimit dypalësh me përfaqësuesin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, Ptekoviq potencoi se takimi mes presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti mund të planifikohet vetëm në rast se Prishtina tregon gatishmëri për të lëvizur përpara.
Ai tha se në Bruksel çdo herë atmosfera është e pakëndshme, por pavarësisht kësaj “delegacioni serb qëndron atje për të luftuar për interesat serbe në Kosovë si dhe për të kërkuar zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të Brukselit që janë arritur më parë”.
“Serbia gjithmonë këmbëngul për dialog dhe tregon një qasje konstruktive”, u tha Petkoviq gazetarëve.
Sipas tij gjatë bisedimeve të hënën dhe të martën Beogradi do të këmbëngulë për pesë çështje: të pagjeturit, drejtësinë, lirinë e lëvizjes, energjinë dhe formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Burimet e BE-së kanë thënë se takimet e të martës dhe të mërkurës do të shfrytëzohen për të përgatitur një takim të nivelit të lartë ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq që pritet të zhvillohet më vonë gjatë muajit shtator.
Takimi i fundit në nivelin e lartë është zhvilluar më 19 korrik, por ai nuk ka prodhuar ndonjë rezultat konkret.
Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e BE-së, ka nisur më 2011. Ky proces thuhet se ka për qëllim normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes dy vendeve.
(REL)