Lajçak: Kosova e Serbia duhet në nisin sivjet zbatimin e marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve

Bruksel, 15 shtator 2023 – “Procesi i zbatimit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës duhet të fillojë këtë vit, përndryshe mund të humbasin disa vite përpjekje”.

Kështu deklaroi përfaqësuesi special i BE-së për dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, Miroslav Lajçak, të premten.

Në një intervistë për TASR, diplomati sllovak tha se procesi i normalizimit të marrëdhënieve arriti “një pikë kthese” në shkurt dhe mars, pasi të dyja palët ranë dakord për dokumentet thelbësore që çojnë në normalizimin e marrëdhënieve të ndërsjella, por palët nuk kanë lëvizur përpara as pas gjashtë muajsh.

“Të dyja palët kanë një nivel të lartë të mosbesimi ndaj njëra-tjetrës. Ata thonë ‘më jep atë që meritoj, pastaj do të bëj atë që është e nevojshme”, u shpreh ai.

Lajçak i cilësoi të vështira negociatat e së enjtes mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq. Sipas tij, ishte Kurti ai që paraqiti kërkesë jorealiste.

“Kurti insiston për një dokument që de fakto të fillojë me njohjen e Kosovës nga Serbia dhe vetëm pastaj të bëjë pjesën e vet të punës, gjë që natyrisht nuk është një rrugë realiste përpara”, tha ai.

Lajçak tha se është thelbësore që zbatimi i marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë të nisë sivjet, përndryshe procesi do të shtyhet për një vit, për shkak të zgjedhjeve në BE dhe në SHBA.

“Nëse këto vendime themelore nuk merren deri në fund të vitit, kam frikë se kalendari politik në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara do të jetë i tillë që do ta shtyjë këtë agjendë në plan të dytë”, ka thënë ai.

Përfaqësuesi special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi ka thënë se refuzimi i marrëveshjes mund të shpie në përshkallëzim të tensioneve në pjesën veriore të Kosovës.

(r.m.)