Lajçak: Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit duhet të adresohet nga Kurti e Vuçiqi

Bruksel, 19 mars 2024 – Emisari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, ka dhënë detaje nga takimi i sotëm me kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi dhe me atë të Serbisë, Petar Petkoviq, ku është biseduar për zbatimin e marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit.

Lajçak, në një postim në platformën X, ka treguar se me dy kryenegociatorët janë dakorduar që të hënën, më 25 mars, të takohen sërish në Bruksel.

“Prita dy kryenegociatorët për të diskutuar zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit dhe për çështje të tjera, përfshirë ndikimin e vendimit në operacionet me para të gatshme. Ne u pajtuam të vazhdojmë me këtë çështje të hënën e ardhshme, ndërsa Marrëveshja do të duhet të adresohet nga liderët”, ka shkruar Lajçak.

Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, dhe kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, u takuan të martën në Bruksel, me ndërmjetësimin e përfaqësuesit të posaçëm të BE-së, Miroslav Lajçak.

Pas takimit, Bislimi, tha se dy palët do t’i dorëzojnë propozimet e tyre për përdorimin e dinarit serb në Kosovë deri më 22 mars, ndërsa shqyrtimi i propozimeve do të bëhet në takimin e radhës që pritet të zhvillohet javën e ardhshme.

Bislimi tha se mund të ketë edhe një takim të liderëve të Kosovës dhe të Serbisë, ku do të deklaroheshin rreth Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve që është arritur vitin e kaluar në Bruksel, si edhe rrreth Aneksit së impelementimit të arritur në Ohër.

Ai u tha gazetarëve se në taklimin e sotëm pala serbe konfirmoi se nuk është e gatshme t’i zbatojë të gjitha pikat a marrëveshjes, por vetëm ato që nukj prekin në statusin e Kosovës.

“Lajçak konstatoi se Serbia e ka problem të lëvizë në këtë drejtim dhe, rrjedhimisht, kjo do të duhej të diskutohej në një takim të ardhshëm me krerët e shteteve”, tha Bislimi.

Një ditë më herët, Bashkimi Evropian paralajmëroi se do të shtojë trysninë mbi të dyja vendet për të zbatuar marrëveshjen e arritur në shkurt të vitit të kaluar në Bruksel.

Marrëveshja, mes tjerash, kërkon marrëdhënie të mira fqinjësore, njohje reciproke të dokumenteve dhe simboleve shtetërore, si edhe respektim reciprok të sovranitetit dhe tërësisë territoriale. Gjithashtu, ajo kërkon që palët të mos e pengojnë njëra-tjetrën në proceset integruese, por nuk kërkon njohje të ndërsjellë.

Sipas marrëveshjes, palët duhet t’i zbatojnë edhe marrëveshjet e arritura më herët në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës e Serbisë që ka filluar në vitin 2011.

(r.m.)