Prishtinë, 7 tetor 2023 – I dërguari i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak tha të hënën se ka një pajtim autoritetet në Kosovë për hapat e ardhshëm në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, por pa dhënë hollësi se për cfarë hapash bëhet fjalë.
Ai i bëri këto komente në rrjetet sociale pas një takimi në Prishtinë me zëvendëskryeministrin e Kosovës Besnik Bislimi, në ditën e parë të vizitës së paparalajmëruar në kuadër të përpjekjeve perëndimore për të çuar përpara zbatimin e marrëveshjes së arritur më herët gjatë këtij viti në Bruksel dhe në Ohër.
“Sapo u takova me zëvendëskryeministrin e parë Besnik Bislimi për të diskutuar në vazhdën e takimit të fundit me udhëheqësit evropianë në Bruksel dhe nevojën për zbatimin e plotë të Marrëveshjes për Rrugën e Normalizimit pa vonesa dhe parakushte. Ne u pajtuam edhe për hapat e ardhshëm”, shkroi ai.
I just met with First Deputy Prime Minister @BislimiBesnik to follow up on the recent meeting with European leaders in Brussels and the need for full implementation of the Agreement on the Path to Normalisation without delay or preconditions. We also agreed on next steps. pic.twitter.com/Jc151JUvRS
— Miroslav Lajčák (@MiroslavLajcak) November 6, 2023
Qeveria e Kosovës nëpërmjet një komunikate tha se është “e përkushtuar për normalizim të plotë të marrëdhënieve me Serbinë dhe për njohje të ndërsjellë” dhe se temë e diskutime në mes të kryenegociatorit të Kosovës Besnik Bislimi dhe të dërguarit evropian Miroslav Lajçak, ishin “të gjitha aspektet e ndërlidhura me zbatimin e plotë të Marrëveshjes Bazike të Brukselit dhe Aneksit Implementues të Ohrit”
Zoti Lajçak të martën pritet të takohet edhe me udhëheqës të partive opozitare në Kosovë, ndërsa ende nuk dihet nëse do të shkojë edhe në Beograd.
Shefi i zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, u tha të hënën mediave serbe se Prishtina e ka refuzuar një ftesë për takim ndërmjet kryenegociatorëve që, sipas tij, është dashur të mbahet të martën, me shtatë nëntor në Bruksel. Prishtina nuk i komentoi këto pohime.
Vizita e zotit Lajçak pason kërkesën e udhëheqësve të vendeve kryesore evropiane, Francës, Gjermanisë dhe Italisë që Kosova të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, ndërsa Serbisë të njohë “de fakto” pavarësinë e Kosovës.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka thënë se ishte i gatshëm të nënshkruante projektin për Asociacionin të ofruar nga diplomacia perëndimore ndërsa presidenti serb Aleksandar Vuçiç, e ka cilësuar propozimin si një bazë të mirë për vazhdimin e diskutimeve, por duke nënvizuar se nuk do të pranojë asgjë që çon drejt njohjes së Kosovës.
(Leonat Shehu, Zëri i Amerikës)