Prishtinë, 15 shtator 2022 – I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, tha se qëllim i vizitës së tij në Prishtinë është “çuarja përpara” e këtij procesi.
Lajçak foli shkurtimisht për gazetarët pas takimit që zhvilloi të enjten me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe zëvendësin e tij, Besnik Bislimi.
Ai tha se në takim u bisedua për “vazhdimin e dialogut” dhe për takimin e ardhshëm të Kurtit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Kurti dhe Vuçiq u takuan për herë të fundit në Bruksel më 18 gusht.
“Takimi i radhës do të zhvillohet sapo të përgatitet”, tha Lajçak.
“Kjo është një nga arsyet përse jam sot këtu. Duam të sigurohemi që takimi të ketë substancë dhe do të prodhojë diçka”.
“Të dy udhëheqësit janë të gatshëm të takohen, BE-ja është gati t’i mirëpresë, por po përgatisim agjendën”, tha Lajçak, duke mos dhënë ndonjë datë specifike.
Lajçak tha se nuk do ta vazhdojë vizitën në Serbi, por se do të kthehet në Bruksel.
Ai tha se mund të takojë Vuçiqin në Nju Jork, ku, javën e ardhshme, nis punimet Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara.
Qeveria e Kosovës lëshoi një deklaratë për media, sipas së cilës, Kurti përsëriti në takim me Lajçakun se “qëllimi i dialogut duhet të jetë arritja e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme, me njohjen reciproke në qendër”.
Nga Bashkimi Evropian, vizita e Lajçakut nuk u paralajmërua më herët.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha se jo domosdoshmërisht komentojnë çdo takim pune apo ndërveprim të tij me partnerët në rajon.
“Këto vizita pune, njësoj si ajo e sotmja në Kosovë, po zhvillohen në kuadër të çuarjes përpara të procesit të dialogut dhe vazhdimit të diskutimeve për normalizimin gjithëpërfshirës të marrëdhënieve”, tha Stano në një deklaratë me shkrim dërguar Radios Evropa e Lirë.
Lajçak dhe këshilltarët e Qeverisë gjermane e asaj franceze për dialogun qëndruan edhe të premten e kaluar në Prishtinë, ku, po ashtu, takuan Kurtin.
Pas atij takimi, Lajçak tha se bisedimet ishin “të thella dhe të rëndësishme”, por nuk dha detaje.
Tre diplomatët evropianë, javën e kaluar, takuan në Beograd edhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Vuçiq tha se ata i kanë propozuar “kornizë të re” për dialogun me Kosovën.
“Sipas tyre [diplomatëve evropianë], dialogu duhet të rezultojë me zgjidhje të menjëhershme dhe përfundimtare, siç thonë ata, të problemeve, me të cilat po përballemi dhe të të gjitha çështjeve të pazgjidhura”, tha Vuçiq.
Ai, po ashtu, përsëriti se Serbia nuk do ta njohë Kosovën.
Me ndërmjetësimin e BE-së, Kosova dhe Serbia janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve qysh në vitin 2011.
Dy vendet kanë arritur dhjetëra marrëveshje, por zbatimi i tyre në terren ka ngecur.
Procesi i negociatave duhet të përfundojë me marrëveshje ligjërisht të obligueshme.
Derisa në Kosovë këmbëngulin që kjo marrëveshje të përfshijë njohjen reciproke, Serbia, tash për tash, refuzon.
(REEL)