Lajçak në Prishtinë: “Po punojmë që takimi Kurti-Vuçiq të mbahet brenda javësh”

Prishtinë, 6 dhjetor 2022 – I dërguari i Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, u takua sot (e martë) në Prishtinë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Pas takimit, Lajçak bëri të ditur se në takim është biseduar për organizimin e takimit të radhës mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Sipas tij, ky takim mund të mbahet brenda javësh.

“Mund të kthehem sërish së shpejti për t’u siguruar që takimi [Kurti-Vuçiq] do të jetë i përgatitur mirë dhe besojmë se nuk më ka kohë për të humbur”, tha Lajçak.

“Duhet ta shfrytëzojmë këtë momentum dhe jemi duke punuar për takimet në nivel të lartë. Nuk kemi kohë për të humbur”, theksoi ai.

Lajçak tha se në takimin më Kurtin, sikurse një ditë më parë me Vuçiqin, në Beograd, është diskutuar edhe për çështjet aktuale, veçanërisht situatën në veri pas largimit të serbëve nga institucionet e Kosovës dhe për përgatitjet për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë të katër komunave me shumicë serbe (Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan) që do të mbahen më 18 dhjetor.

Lajçak tha se në takim me Kurtin është folur edhe për çështjen e energjisë.

Më 21 qershor, Kosova dhe Serbia nënshkruan Udhërrëfyesin për zbatimin e Marrëveshjes së Energjisë, që ishte arritur më 2013 në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre.

Kjo marrëveshje nuk ishte zbatuar konform afateve të rëna dakord në qershor, ku kompania serbe, Elektrosever, nuk i kishte plotësuar kushtet që përcaktoheshin në Udhërrëfyes.

I dërguari i Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi tha se në takim është diskutuar edhe për personat e zhdukur. Sipas tij, palët janë vetëm “një fjali larg” finalizimit të tekstit të marrëveshjes për këtë çështje.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar më herët se, në takimin e 18 gushtit, Serbia nuk ka spasur gatishmëri të nënshkruajë “dokumentin e dakorduar” për çështjen e të pagjeturve. Ai ka thënë se marrëveshjes.

Miroslav Lajçak erdhi në Prishtinë nga Beogradi, ku një ditë më parë e takoi presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Ai tha se me Vuçiqin ka diskutuar për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por edhe për tema të tjera, përfshirë kthimin e serbëve të Kosovës në institucionet e Kosovës.

Ndërkaq, presidenti serb tha se me Lajçakun ka biseduar edhe për “problemet me të cilat po përballen serbët e Kosovës, për shkak të lëvizjeve të njëanshme dhe jolegjitime të Prishtinës”.

Vuçiq është hidhëruar shumë që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e emëroi ministër për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiqin, kryetar i një partie serbe që nuk kontrollohet nga Vuçiqi.

Përfaqësuesit e Listës Serbe, e cila kontrollohet nga Vuçiqi, janë larguar nga institucionet e Kosovës, në shenjë proteste ndaj vendimit të qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e automjeteve me targa të lëshuara nga Serbia.

(r.m.)