Lajçak nuk do të bëhet ambasador i BE-së në Zvicër, “për shkak të zhvillimeve të paparashikuara”

Bern, 6 shtator 2024 – Përfaqësuesi i posaçëm i BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, nuk do ta marrë detyrën e ambasadorit të BE-së në Zvicër, për shkak të “zhvillimeve të paparashikuara”, njoftoi delegacioni i bllokut në Bern.

Lajçak ishte emëruar ambasador i BE-së në Zvicër në fillim të këtij viti, ndërsa në korrik vendet anëtare të bllokut u pajtua që atij t’i zgjatet mandate i të dërguarit të posaçëm për dialogun deri në janar të vitit 2025.

Por, delegacioni i BE-së në Zvicër njoftoi të premten se ambasadorit të deritanishëm Petros Mavromichalis i është zgjatur mandati deri më 31 gusht 2025.

“Për shkak të zhvillimeve të paparashikuara, Mirosllav Lajçak nuk do ta marrë postin e ambasadorit në Bern. Mandati i ambasadorit të tanishëm Petros Mavromichalis është zgjatur deri më 31.08.2025”, ka shkruar delegacioni I BE-së në Zvicër, në një postim në X.

Në njoftim nuk u dhanë shpjegime se për cfarë “zhvillimesh të paparashikueshme” bëhej fjalë.

Gjatë kësaj vere, BE-ja ka qenë në kërkim të zëvendësuesit të Lajçakut në pozitën e të fërguarit të posaçëm për dialogun.

Të premten Lajçak qëndroi në Prishtinë, ku u takua me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi, njëherit kryernegociator i Kosovës në bisedimet me Serbinë.

Lajçak tha se në takim me Bislimin është arritur pajtim për një rund të ri të dialogut në nivel kryenegociatorësh, por nuk tregoi ndonjë datë për mbajtjen e këtij takimi.

(r.m.)