Lajçak: Nuk ka datë të caktuar për takimin e radhës Kurti – Vuçiq

Prishtinë, 17 shtator 2021 – I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Mirsollav Lajçak, e ka përfunduar vizitën e tij tri-ditëshe në Kosovë.

Në përfundim të vizitës, ai ka deklaruar se ende nuk ka një datë për takimin e radhës midis Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Sipas tij, gjatë qëndrimit të tij në Prishtinë janë diskutuar disa data, mirëpo për këtë çështje do të diskutojë edhe me autoritetet serbe, gjatë qëndrimit të tij në Beograd, të hënën dhe të martën.

Por, Lajçak ka thënë se është e rëndësishme që palët janë të përkushtuara për vazhdimin e dialogut, duke theksuar se tash për tash nuk mund të flitet për ndonjë afat për arritjen e një marrëveshjeje midis dy palëve.

“Ky është një proces i ndjeshëm, serioz, por ai po ecë përpara”, ka thënë ai.

I pyetur në lidhje me çështjen e hapjes së arkivave, temë kjo që ka nxitur debate në Kosovë, Lajçak ka thënë se

“Nuk ka pasur diskutime të posaçme për arkivat, por është rikonfirmuar ajo që është thënë disa herë më parë se asnjëra palë nuk do të ketë pengesa në qasjen në arkiva”, ka thënë Lajçak.

“Zëvëndëskryeministri Bislimi më ka thënë se nuk ka arkiva të UÇK-së dhe se ato janë vetëm arkiva shtetërore”, ka shpjeguar ai.

Gjatë qëndrimit në Kosovë, prej 15 deri më 17 shtator, Lajçak ka takuar Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti, kryesuesin e delegacionit të Kosovës për dialog me Serbinë, Besnik Bislimi, dhe përfaqësues të opozitës, të shoqërisë civile dhe të bizneseve.

(r.m.)