Lajçak paralajmëron vazhdimin e bisedimeve Kosovë – Serbisë për çështjen e dinarit

Bruksel, 27 shkurt 2024 – Delegacionet e Kosovës dhe të Serbisë u takuan sot në Bruksel, për të gjetur zgjidhje lidhur me çështjen e përdorimit të dinarit serb në Kosovë.

Takimi u organizua nga përfaqësuesi i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, pas reagimit të ashpër të Beogradit zyrtar dhe të serbëve në Kosovë lidhur me Rregulloren e re të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për operacione me para të gatshme, e cila pamundëson përdorimin e dinarit për këto operacione në Kosovë.

Lajçak e ka cvilësuar takimin e sotë, si “”një hap të parë të rëndësishëm” për zgjidhjen e çështjes, por ka shtuar se “shumë pyetje tëe natyrës politike” kanë mbetur pa përgjigje. Ai ka paralajmëruar takime të tjera midis dy palëve.

“Mirëpres angazhimin e palëve për të gjetur zgjidhje të qëndrueshme për komunitetet e prekura nga Rregullorja e fundit e BQK-së. Takimi i sotëm i dialogut ishte hap i parë i rëndësishëm, por shumë pyetje politike mbeten pa përgjigje. Do të nevojiten takime shtesë”, ka shkruar Lajçak në “X”, pas takimit.

Por, emisari i BE-së nuk ka sqaruar nëse midis palëve është arritur ndonjë dakordim.

Lajçak ka zhvilluar së pari takime të veçanta me të dyja palët, e pastaj e ka organizuar një takim të përbashkët, ku kanë marrë pjesë vetëm ekspertë financiarë të të dy vendeve.

Guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili, i cili e ka udhëhequr delegacionin e Kosovës, ka deklaruar se në takim nuk është diskutuar për rregulloren e BQK-së, por për mundësitë që i ofron ajo për transferimin e poarave nga shtetet e tjera në Kosovë. 

“Nuk ka asgjë tjetër dhe nuk kemi pranuar diskutime të tjera. Rregullorja është në fuqi dhe nuk ndryshohet. Zbatimi i saj nuk vihet në diskutim”, ka deklaruar Ismaili pas takimit.

Ai ka thënë se në takim janë prezantuar mundësitë që Serbia të vazhdojë dërgimin e parave për serbët në Kosovë, në mënyrë ligjore dhe transparente.

“Ekzistojnë mundësi ligjore për transferim ligjor [të parave], nëse Serbia është e gatshme t’i pranojë ato”, ka thënë Ismaili, por nuk ka dhënë më shumë hollësi.

Një shpjegim më të plotë për përmbajtjen e takimit e ka bërë BQK-ja. Në një komunikatë për medie thuhet se në takim nuk është kontestuar rregullorja, por është shprehur shqetësimi për ndikimin eventual të saj te serbët në Kosovë, të cilët e kanë përdorur dinarin e Serbisë deri më 1 shkurt, kur ka hyrë në fuqi rregullorja e re.

“Autoriteti kushtetues dhe ligjor i BQK-së dhe rregullimi i vendosur nga BQK-ja nuk u vu në diskutim apo kontestua nga BE-ja, megjithatë janë ngritur disa brenga për ndikimin e mundshëm te qytetarët tanë të komunitetit serb. Ndaj edhe është vlerësuar e nevojshme pjesëmarrja për të dhënë sqarime të duhura lidhur me këto shqetësimet si dhe argumentuar praktikisht mundësitë ligjore dhe teknike ekzistuese të transferimit të mjeteve financiare”, thuhet në komunikatë.

“BQK-ja ka elaboruar në detaje zgjidhjet e mundshme teknike të transferimit të mjeteve përmes kanaleve bankare dhe me transparencë, për të fasilituar në zgjedhjen e opsionit me të lehtë për procesin e transferimit të mjeteve në llogaritë e përfituesve (në Euro), në pajtim me rregullativën ligjore në fuqi”, thuhet në komunatën ne BQK-së.

Në komunikatë thuhet gjithashtu se delegacioni i BQK-së, në takimin me delegacionin teknik të Ministrisë se Financave të Serbisë, kanë diskutuar për opsionet që ka paraqitur BQK-ja për zbatimin e rregullores. 

Ndërkaq, kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, i cili e ka udhëhequr delegacionin nga Beogradi, por nuk ka marrë pjesë në takimin e ekspertëve, ka deklaruar se rregullorja e BQK-sëkërkon zgjidhje politike sepse, sipas tij, rregullorja si e tillë ka prapavijë politike.

“Pasojat e një vendimi të tillë të njëanshëm [të Kosovës] janë politike dhe ndikojnë në mbijetesën e popullit serb në Kosovë”, ka thënë Petkoviq.

Ai ka thënë se çështja e përdorimit të dinarit drtn në Kosovë nuk ka qenë asnjëherë në agjendën e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë, por tani këtë e bën të pashmangshme rregullorha e BAK-së.

 “Duke qenë se vendimi i të ashtuquajturës Bankë Qendrore e Kosovës i prek drejtpërdrejt serbët, sigurisht që do të diskutohet në Bruksel”, ka thënë ai.

Petkoviqi ka thënë se kjo çështje duhet të zgjidhet sa më shpejt.

“Duhet të gjendet një zgjidhje sa më shpejt, sepse jemi në prag të marsit, kur qytetarët tanë duhet t’i marrin të ardhurat e muajit shkurt”, ka thënë ai.

Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, e ka refuzuar ftesën e Lajçakut pësr të marrë pjesë në takimin e sotëm. Ai ka thënë se “çështja e dinarit nuk është pjesë e dialogut” për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës e Serbisë dhe as nuk ka përse të futet në agjendën e dialogut.

Bislimi ka thënë se Lajçak, me thirrjen për të diskutuar për rregulloren e BQK-së në Bruksel e ka shkelur parimin që në agjendë të futen vetëm çështje dhe tema për të cilat dakordohen të dyja palët.

Faktori ndërkombëtar ka shprehur shqetësime për ndikimin e rregullores së BQK-së në jetën e qytetarëve serbë në Kosovë. SHBA-ja dhe BE-ja kërkojnë nga Qeveria e Kosovës që ta pezullojë zbatimin e rregullores, për t’u dhënë kohë qytetarëve të prekur nga ajo që të përshtaten me praktikën e re.

Por, kryeministri Albin Kurti këmbëngul që rregullorja e BQK-së është në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi, ndërsa serbëve në Kosovë u janë ofruar lehtësi për përshtatje me rregulloren e BQK-së.

Kurti ka thënë se rregullorja është pengesë vetëm për Beoigradin zyrtar, që e përdor dërgimin e parave për qëllime politike dhe për aktivitete të paligjshme në Kosovë.

(r.m.)