Prishtinë, 4 korrik 2023 – I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, tha të martën në Prishtinë se ka mirëkuptim për të çuar përpara kërkesat e Bashkimit Evropian për shtensionimin e situatës në veri, por se “ende duhet të vazhdojnë diskutimet për hapa konkretë”.
Ai i bëri këto komente pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në përpjekje për të gjetur rrugëdalje nga kriza në veri.
Kërkesat e Bashkimit Evropian përfshijnë pezullimin e operacioneve policore, zhvendosjen e kryetarëve të komunave në zyra alternative dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme me pjesëmarrje të pakusht të serbëve të Kosovës.
Zoti Lajçak tha se nuk mund të flasë për masa ndëshkuese shtesë për Kosovën, por theksoi se masa të tilla janë të gatshme edhe për Serbinë, në rast se ajo nuk ndërmerr veprime drejt shtensionimit të situatës.
“Nuk mund të komentoj për masat, me që nuk hyjnë në fushën e përgjegjësisë sime, por Bashkimi Evropian nuk është fare i gëzuar që vjen në pozitë për të vendosur këto masa”, tha zoti Lajçak, duke shtuar se blloku “e ka bërë të qartë se i ka sanksionet e gatshme edhe për Serbinë të cilat do të vendosen nëse shtetet anëtare vlerësojnë se ajo nuk po i respekton kërkesat e BE-së”.
Ai tha se qëllimi i takimit të sotëm është “që të arrijmë te pika ku këto masa hiqen dhe kthehemi në gjendjen paraprake”, duke e vlerësuar takimin “të gjatë e të hapur por shumë të rëndësishëm që të kuptojmë më mirë pozicionet e njëri – tjetrit dhe që procesi të vazhdojë”.
Në një njoftim për media nga zyra e kryeministrit Kurti thuhet se gjatë takimit ai ka përsëritur qëndrimin se “masat ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës janë të padrejta dhe e bëjnë dialogun asimetrik”.
“Kryeministri Kurti shprehu përkushtimin dhe angazhimin e tij për shtensionim dhe normalizim”, thuhet në njoftim duke theksuar se “policia e Kosovës vetëm zbaton ligjin e kujdeset për sigurinë publike dhe se pjesëtarët e saj të vendosur nëpër ndërtesat komunale nuk kanë ndërmarrë operacione në rrethinën e atyre ndërtesave”.
Vizita e zotit Lajçak në Kosovë, që do të vazhdojë edhe në Beograd, ndodh në kuadër të përpjekjeve të diplomacisë perëndimore për gjetjen e një zgjidhjeje pas tensionimit të situatës në veri të Kosovës që nisi në fund të muajit maj, ndërsa autoritetet filluan zbatimin e rezultateve të zgjedhjeve të 23 prillit të bojkotuara nga partitë politike serbe.
I dërguari evropian Lajçak takoi sot edhe presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani. Në një njoftim për media nga zyra e presidentes thuhet se në takim u diskutua mbi përpjekjet për shtensionimin e situatës.
“Presidentja Osmani ka theksuar se institucionet e Kosovës janë të përkushtuara që së bashku me partnerët ndërkombëtarë t`i tejkalojnë sfidat aktuale dhe se Kosova ka dëshmuar vullnet për shtensionim, duke ofruar organizimin e zgjedhjeve të reja në veri të vendit, në përputhje me kornizën ligjore të vendit”, thuhet në njoftim.
Diplomatët perëndimorë kanë shprehur shqetësimin për mundësinë e përshkallëzimit të situatës së sigurisë në një kohë kur as Kosova dhe as Serbia nuk kanë ndërmarrë hapa për uljen e tensioneve me gjithë thirrjet e tyre.
Më herët gjatë ditës kryeministrat e Holandës dhe Luksemburgut, Mark Rutte dhe Xavier Bettel, i bënë thirrje Kosovës që të angazhohet drejt shtensionimit të situatës sipas planit të Bashkimit Evropian.
Ata i bënë këto komente gjatë një vizite në Prishtinë ku u takuan me kryeministrin Albin Kurti dhe presidenten Vjosa Osmani, një ditë pasi takuan në Beograd presidentin serb Aleksandar Vuçiç, në përpjekje siç thanë për të mbështetur normalizimin e situatës ndërmjet dy vendeve.
“Sot shprehëm shqetësimet tona për tensionet në rritje midis Serbisë dhe Kosovës, Holanda dhe Luksemburgu u bëjnë thirrje të dyja palëve të angazhohen në dialogun e udhëhequr nga Bashkimi Evropian për të bërë përpjekje për shtensionimin e situatës dhe për të normalizuar përfundimisht marrëdhëniet ndërmjet të dyja vendeve”, tha zoti Rutte.
“Ju e kuptoni domethënien e tensioneve, le të mos harrojmë se Lufta e Parë Botërore nisi këtu dhe përpara Ukrainës, lufta e fundit që kishim në kontinent ishte po këtu, kështu që duhet të shmangim çdo krizë të re të mundshme që mund të përfundoj me vuajtje të popullatës civile. E keni mbështetjen tonë, nganjëherë është vështirë të diskutohet me fqinjët dhe ka nevojë për angazhim të dikujt që nuk është i përfshirë për të ndihmuar”, tha zoti Bettel.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se Kosova është e interesuar për marrëdhënie të mira fqinjësore me Serbinë, duke theksuar se për të arritur këtë kërkohet zbatimi i marrëveshjës për normalizimin e marrëdhënieve që u arrit këtë vit.
“Ne dëshirojmë zgjidhje evropiane dhe për këtë e kemi marrëveshjen bazë të 27 shkurtit dhe aneksin e zbatimit të saj të 18 marsit, që dëshirojmë të zbatohet në plotni, pa vonesa dhe pa kushte”, tha ai.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç tha mbrëmë pas takimit me kryeministrin holandez dhe atë të Luksemburgut se autoritetet në Prishtinë nuk kanë përmbushur ende marrëveshjet që janë nënshkruar në Bruksel e që kanë të bëjnë me Asociacionin. Ai tha se “krijimi i Asociacionit të Komunave Serbe mbetet parakushti që çdo gjë tjetër të përmbushej nga pala serbe”.
Themelimi i Asociacionit parashihet edhe me marrëveshjen për normalizmin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Serbisë që u arrit në muajin mars në Ohër, e cila nuk i uli tensionet.
(Edlira Bllaca, Zëri i Amerikës)