Lajçak: Presim që dialogu të vendoset mbi politikat partiake

Prishtinë, 10 mars 2023 – I dërguari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, njoftoi për takimet që zhvilloi të premten në Prishtinë.

Në një shkrim në Twitter, Lajçak tregon se në të gjitha takimet ka shprehur pritshmëri të qarta të faktorit ndërkombëtar që dialogu të vendoset mbi politikën partiake.

“Në ditën e dytë në Kosovë u takova me liderët e partive opozitare për të shpjeguar marrëveshjen, si dhe hapat e ardhshëm. Gjithashtu shpreha pritshmëri të qarta nga bashkësia ndërkombëtare që dialogu të vendoset mbi politikën e përditshme partiake, veçanërisht në këtë moment kritik”, shkruan Lajçak.

Ai bën të ditur se të premten i ka takuar edhe përfaqësuesit e Listës Serbe, për t’i informuar për dialogun dhe për të dëgjuar pikëpamjet e tyre për zhvillimet në veri të Kosovës.

Lajçak njofton edhe për takimin e tij me ministrin e Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla.

“Dhe më në fund, programi im i ngarkuar më lejoi të takohem me ministrin e Brendshëm të Kosovës, Xhelal Sveçla. Puna jonë është e mbuluar në shumë fusha. Kjo është arsyeja pse nënvizova rëndësinë e koordinimit dhe bashkëpunimit të ngushtë”, shkruan ai.

Miroslav Lajçak do të shkojë edhe në Beograd në fillim të javës së ardhshme për të biseduar me autoritetet e Serbisë lidhur me dialogun, me theks në marrëveshjen e propozuar nga Bashkimi Evropian dhe në planin e zbatimit të saj.

(r.m.)