Bruksel, 16 nëntor 2021 – Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, nuk ka arritur t’i ulë bashkë në tryezën e bisedimeve kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimin dhe Petar Petkoviqin.
Lajçak ka pasur takime të ndara me dy kryenegociatorët, për të marrë pajtimin e tyre për temat e bisedimeve, por ata kanë mbajtur qëndrime krejtësisht të papajtueshme lidhur me temat e bisedimeve, sodomos për temën më të diskutueshme- Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.
Pala serbe ka kërkuar që në këtë takim të bisedohet për formimin e Asociacionit, ndërsa pala kosovare e ka kundërshtuar kategorikisht këtë, duke insistuar që të bisedohet për tema me interes për qytetarët, më pak politike.
Delegacioni serb, në një komunikatë të lëshuar pas takimit, e ka bërë të qartë synimin që në takim të shtrohet çështja e formimit të Asociacionit. Sipas komunikatës, në ftesën e BE-së thuhej se në takimin e sotëm do të bisedohej për formimin e Asociacionit.
“Ne kemi ardhur të bisedojmë dhe jemi absolutisht të gatshëm për bisedime me Prishtinën. Për këtë jemi këtu. Varet nga konstruktiviteti i tyre se a do të ketë takim direkt. Gjithçka varet nga Prishtina. Ne kemi ardhur sot në Bruksel me ftesë të BE-së që të flasim për formimin e Asociacionit. Kështu është potencuar në ftesën e BE-së të datës 30 shtator”, thuhet në komunikatën e delegacionit serb.
Përfaqësuesi special i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, nuk ka treguar përse ka dështuar takimi i përbashkët me kryenegociatorët. Por, ai ka bërë të ditur se në takimet e ndara me Besnik Bislimin dhe Petar Petkoviqin e ka përsëritur thirrjen e vendeve anëtare të BE-së për përparim në procesin e dialogut.
“Sot i prita dy kryenegociatorët dhe delegacionet e tyre në takime të veçanta për çështjet e pazgjidhura dhe rrugën përpara në dialog. Gjithashtu, unë i informova për Këshillin e BE-së të hënën dhe përsërita pritjet e vendeve anëtare. Është koha për përparim të vërtetë”, ka shkruar Lajçak.
Today, I hosted the two Chief negotiators and their delegations for separate meetings on outstanding issues and the way forward in the Dialogue. I also briefed them on Monday’s FAC and reiterated the expectations of Member States. It’s high time for real progress. pic.twitter.com/3fgcB6pN8Y
— Miroslav Lajčák (@MiroslavLajcak) November 16, 2021
Dështimi i takimit të kryenegociatorëve vë në pikëpyetje një takim të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Të hënën, përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme, Joseph Borrell, ka ftuar dy liderët në një takim të përbashkët para përfundimit të këtij viti.
Autoritetet e BE-së vazhdojnë t’u bëjnë thirrje të dy palëve që të jenë konstruktive në dialog dhe të punojnë në zbatimin e të gjitha marrëveshjeve që janë arritur deri tash, si edhe në arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese, për normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se njohja reciproke “duhet të jetë në qendër” të marrëveshjes përfundimtare midis Kosovës e Serbisë.
(r.m.)