Prishtinë, 6 shtator 2024 – I dërguari i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë-Serbi Miroslav Lajçak tha të premten se ka një pajtim për të organizuar një raund të ri të negociatave për zhbllokimin e zbatimit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet palëve, por nuk e bëri të ditur datën e takimit të ri.
Ai i bëri këto komente në Prishtinë pas një takimi me kryenegociatorin e Kosovës për bisedimet me Serbinë Besnik Bislimi, në kuadër të përpjekjeve për ripëtëritjen e bisedimeve, mes mospajtimeve ndërmjet qeverisë në Prishtinë dhe diplomacisë perëndimore rreth situatës në veriun e Kosovës.
Zoti Lajçak tha se marrëveshja e vitit të kaluar e arritur në Bruksel dhe në Ohër, është ligjërisht e detyrueshme për të dyja palët dhe sipas tij, Serbia ka tërhequr një letër dërguar Bashkimit Evropian në dhjetor të vitit 2023 në të cilën thuhej se marrëveshja është e pranueshme vetëm në një kontekst që nuk i referohet njohjes de facto dhe de jure të Kosovës.
“Letra është tërhequr. Pra, dhe ka deklarata aty-këtu që nuk janë të dobishme, por marrëveshja si e tillë është e vlefshme në tërësinë e saj dhe më shumë se kaq, marrëveshja është bërë edhe pjesë e rrugës së Kosovës drejt Bashkimi Evropian dhe rrugës së Serbisë drejt Bashkimit Evropian”, tha zoti Lajçak.
Bashkimi Evropian si dhe Shtetet e Bashkuara po u bëjnë thirrje palëve që të zgjedhin çëshjet e hapura në kuadër të bisedimeve në Bruksel dhe të shmangin veprimet që mund të nxisin tensione.
Kosova është gjetur nën kritikat e diplomacisë perëndimore për ato që janë ciësuar veprime të njëanshme dhe të pabashkërenduara në veriun e banuar me shumicë serbe. Një javë më parë autoritetet e Kosovës mbyllën komunat paralele serbe në veri, të cilat sipas tyre, “kanë funksionuar nën direktiva të Serbisë duke cenuar kushtetutshmërinë dhe ligjet e Republikës së Kosovës”. Kosova i cilëson institucionet komunale të emëruara nga Beogradi të paligjshme
Operacioni nxiti reagimin e Beogradit dhe përfaqësuesve politik serb në veri ndërsa një grup qytetarësh në Serbi paralajmëroi për të premten në mbrëmje bllokimin e rrugëve që çojnë në vendkalimet kufitare me Kosovën me kërkesën për tërheqjen e forcave të policisë së Kosovës nga veriu dhe kthimin e institucioneve të Serbisë atje.
“Unë besoj se nuk duhet të ketë bllokim dhe shpresoj se nuk do të ketë bllokim sepse kjo është në ndikimin negativ në lirinë e lëvizjes në jetën e njerëzve”, tha zoti Lajçak.
Shuarja e institucioneve paralele serbe është paraparë me marrëveshjen e vitit 2013 për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, por zbatimi i saj ka ngecur.
Pjesë e marrëveshjeve të të arritura nëpër vite ishte hapja e urës kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë.
“Qëndrimi i Bashkimit Evropian, mendoj se dihet mirë, por do ta përsëris. Ura duhet të hapet, por kjo hapje duhet të bëhet në bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë të Kosovës dhe ne po diskutonim hollësi të këtij procesi”, tha zoti Lajçak.
Qeveria e Kosovës është kritikuar edhe nga opozita në Kosovë për mungesë bashkërendimi me aleatët për shumë çështje. Por, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka përsëritur në disa raste se dallimet në qëndrime nuk kanë qenë asnjëherë në qëllime, vlera e parime, por vetëm në strategji, taktika dhe operacione.
(Zëri i Amerikës)