Lajçak: Situata në veriun e Kosovës mbetet e brishtë, pavarësisht hapave për shtensionim

Bruksel, 2 korrik 2023 – Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se situata në pjesën veriore të Kosovës mbetet e brishtë, pavarësisht se ka hapa të qartë për uljen e tensioneve.

Lajçak e ka bërë këtë vlerësim në një postim në Facebook, ku ka shkruar për bashkëpunimin e tij me “partnerët ndërkombëtarë” në Bruksel “për hapat e ardhshëm në adresimin e krizës së vazhdueshme në veriun e Kosovës”.

“Dy ditët e fundit i kalova në Bruksel, ku ekipi im dhe unë punuam ngushtë me partnerët tanë ndërkombëtarë për të koordinuar hapat tanë të ardhshëm në adresimin e krizës së vazhdueshme në veriun e Kosovës. Fatkeqësisht, pavarësisht se ka hapa të qartë për të ulur me sukses tensionet, situata atje mbetet e brishtë.

I kënaqur për interesimin e anëtarëve të Komisionit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian, të cilët më ftuan së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Drejtorin e Përgjithshëm të Drejtorisë për Fqinjësi dhe Negociata të Zgjerimit, Gert Jan Koopman, për të diskutuar bashkërisht për situatën, për zhvillimet e fundit rreth Dialogut dhe për përpjekjet tona për të ulur tensionet në terren në veriun e Kosovës”, ka shkruar Lajçak.

Bashkimit Evropian ka ndërmarrë masa ndaj Kosovës, për shkak se të mosërmbushjes së tri kërkesave të unionit për uljen e tensioneve në pjesën veriore të Kosovës. BE po kërkon tërheqjen e kryetarëve shqiptarë dhe të policisë së Kosovës nga ndërtesat e tri komunave veriore dhe krijimin e kushteve për mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore të banuara me shumicë serbe.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se numri i trupave policore do të zvgëlohet proporcionalisht me zvogëlimin e aktiviteteve të grupeve kriminale serbe dhe krijimin e kushteve për zgjedhje të lira demokratike, pa ndërhyrje nga Serbia dhe pa kërcënime e shantazhe, siç ka ndodhur në zgjedhjet e 23 prillit. Ai ka thënë se policia do të vazhdojë punën për nxjerrjen para drejtësisë të personave të dyshuar për sulmet ndaj institucioneve të Kosovës dhe për sulmet ndaj KFOR-it, EULEX-it dhe të medies në veri.

Kurti i ka cilësuar të padrejta masat e BE-së dhe ka shfaqur shpresën se ato do të hiqen së  shpejti. Por, ai ka theksuar se Kosova nuk mund të bëjë kompromis me sundimin e ligjit dhe me kushtetutshmërinë.

“Sido që të jetë ne e bëjmë punën tonë, por le të mos harrojmë që nuk mundemi të bëjmë kompromis as me sundimin e ligjit as me kushtetutshmërinë e vendit tonë andaj ne do të vazhdojmë me zbatimin e programit tonë qeveritar dhe shpresojmë që këto masa të përkohshme do të jenë fort të shkurtra ashtu që edhe mbështetja edhe ndihma evropiane të jenë të plota për shkak se Kosova është një vend që ka nevojë për mbështetje në zhvillimin e saj”, ka thënë Kurti.

(r.m.)