Lajçak takohet me përfaqësues të organizatave dhe agjencive ndërkombëtare në Kosovë

Prishtinë, 11 mars 2023 – I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, është takuar të premten në mbrëmje, në Prishtinë, me përfaqësues të organizatave dhe agjencive ndërkombëtare në Kosovë.

Në një postim në Twitter, Lajçak ka thënë se zyrtarët ndërkombëtarë që shërbejnë në Kosovë i ka informuar për hapat e ardhshëm të dialogut dhe për pritjet në javët në vijim.

“E fundit, por jo më pak e rëndësishme, Komunitetin Ndërkombëtar në Kosovë e informova për gjendjen e dialogut, për hapat e ardhshëm dhe për pritjet tona për ditët dhe javët në vijim. Mirënjohës për interesimin dhe mbështetjen e tyre”, ka shkruar Lajçak.

Gjatë qëndrimit dyditor në Kosovë, Lajçak është takuar me Presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti dhe me udhëheqës të katër partive parlamentare opozitare.

Temë qendrore e takimeve ka qenë propozimi evropian për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë. 

Lajçak ia ka dorëzuar kryeministrit Kurti 15 modele evropiane të rregullimit të të drejtave të minoriteteve.

Në fillim të javës së ardhshme, i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi do të shkojë edhe në Beograd për të biseduar për të njëjtën temë.

(r.m.)