Lajçak: Vuçiq ngriti shqetësimet për situatën e serbëve në Kosovë, zgjidhja duhet të gjendet në dialog

Beograd, 10 shtator 2024 – Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë takimit të tyre në Beograd, të martën, ka ngritur  “shqetësime të mëdha për situatën e serbëve të Kosovës”.

Lajçak ka thënë se ai ka theksuar se duhet të diskutohet dhe të gjendet një zgjidhje në dialog.

“Në takimin e sotëm me presidentin Vuçiq në përgatitjen për takimin e ardhshëm në nivel të kryenegociatorëve, ai ngriti shqetësime të mëdha për situatën e serbëve të Kosovës. Kam theksuar se duhet të diskutojmë dhe të gjejmë zgjidhje të dakorduar në dialog”, ka shkruar Lajçak në X.

Më herët, Vuçiqi ka deklaruar se brenda 72 orëve do t’i prezantojë kërkesat e Serbisë “për shkak të sulmeve brutale ndaj popullsisë serbe në veri të Kosovës”.

Lajçak është takuar me Vuçiqin për të përgatitur vazhdimin e dialogut midis Kosovës e Serbisë, I cili është në ngërç prej më shumë se një viti. Ai ka paralajmëruar se së shpejti mund të mbahet një takim në nivel të kryenegociatorëve të të dy vendeve.

Ditë më parë, Lajçak ka qenë edhe në Prishtinë, ku është takuar me kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi.

(r.m.)