Lajme të tjera të këqija lidhur me Kërkesën për Regjistrim 

Nëse jeni pa dokumente, telefononi menjëherë avokatin tuaj

Nga Avokati Kieran Both

Avokati Kieran Both

Sipas ligjeve të Emigracionit të SHBA-së (INA) duhet që, me përjashtim të një numri të kufizuar rastesh, të gjithë të huajt pa dokumenta nga mosha 14 vjeç e lart, të cilëve nuk iu janë marrë shenjat e gishtave ose nuk janë regjistruar kur kanë aplikuar për vizë amerikane dhe që kanë qëndruar në Shtetet e Bashkuara për 30 ose më shumë ditë, të aplikojnë për regjistrim dhe për dhënien e shenjave të gishtërinjve. Sapo një i huaj që nuk ka dokumenta të jetë regjistruar dhe të paraqitet për të lënë shenjat e gishtërinjve (përveç rasteve të përjashtimeve nga ky detyrim), DHS-ja do t’u lëshojë dëshmi regjistrimi, të cilat të huajt mbi moshën 18 vjeç duhet t’i ruajnë dhe t’i mbajnë me vete gjatë të gjithë kohës.

Është detyrim ligjor që të gjithë të huajt që nuk kanë dokumenta dhe janë të paregjistruar (ose jo-nënshtetasit e regjistruar më parë por që po mbushin 14 vjeç) dhe që gjenden në Shtetet e Bashkuara prej 30 ose më shumë ditësh, duhet t’i plotësojnë këto kërkesa. Mosrespektimi i tyre do të çojë në dënime penale dhe civile, deri burgim, në vënie gjobash dhe ndjekje penale për shkelje ligji.

Shumica e të huajve në Shtetet e Bashkuara që kanë si synim të emigrojnë aty, tashmë janë regjistruar, siç kërkohet me ligj. Megjithatë, një numër i konsiderueshëm i të huajve të pranishëm në Shtetet e Bashkuara nuk kanë pasur asnjë mënyrë direkte për t’u regjistruar dhe për të përmbushur detyrimin e tyre sipas INA 262. 

Në mënyrë që të huajt e paregjistruar të mund të përmbushin detyrimin për regjistrim sipas INA-s, USCIS-i ka hartuar një formular të ri G-325R Biometric Information (Registration) si dhe një procedurë te re online. Asnjë i huaj nuk do të ketë më një justifikim për t’i bërë bisht respektimit të këtij ligji.

Vetëm personat si vijon duhet të paraqesin formularin G-325R: Të gjithë të huajt që nuk kanë dokumenta. Prindërit dhe kujdestarët ligjorë në emër të të huajve nën moshën 14 vjeç. Për t’u regjistruar, fillimisht duhet të krijoni një llogari në internet në faqen e USCIS-it https://www.uscis.gov/file-online/how-to-create-a-uscis-online-account. Më pas, duhet të plotësoni një version elektronik të Formularit G-325R, Biographic Information (Registration) https://www.uscis.gov/g-325r. Ky formular nuk mund të dorëzohet personalisht ose me postë. USCIS-i do të shqyrtojë informacionin që keni dhënë dhe gjithshka që DHS-ja mund të ketë në arkivat e saj lidhur me personin tuaj. Nëse rezulton se i keni përmbushur kërkesat e regjistrimit në ndonjë mënyrë tjetër dhe nuk keni nevojë të dorëzoni Formularin G-325R, USCIS-i do t’ju njoftojë për t’ju vënë në dijeni për këtë gjë. Nëse ju kërkohet të regjistroheni, USCIS do të shqyrtojë Formularin tuaj G-325R për të vendosur nëse duhet të paraqiteni ose jo për një takim për të dhënat biometrike. Personave të cilët nuk kanë nevojë të paraqiten në një takim për të dhënat biometrike (p.sh. vizitorët kanadezë apo jo-nënshtetasit nën moshën 14 vjeç), USCIS-i do t’u japë një dëshmi regjistrimi. Për ata që duhet të regjistrohen, USCIS-i do të caktojë një takim për të dhënat biometrike. Nuk ka tarifë për këtë takim. Më pas USCIS-i, do t’ju çojë në llogarinë tuaj online një njoftim që do të shoqërohet dhe me dëshminë e regjistrimit. Këtë dëshmi duhet ta shkarkoni si dokument PDF dhe ta printoni.

Kushdo që bën një deklaratë të rreme në Formularin G-325R, përfshirë këtu dhe paraqitjen e një regjistrimi të rremë ose fiktiv, rrezikon t’i nënshtrohet dënimit penal. Të gjithë personat të cilëve u kërkohet të regjistrohen, duhet të mbajnë me vete gjatë gjithë kohës dëshminë e regjistrimit. Të gjithë personat që gjenden në Shtetet e Bashkuara me synime emigrimi duhet të njoftojnë USCIS-in në rast ndryshimi të adresës brenda 10 ditëve nga shpërngulja.

Çdo emigrant pa dokumente që nuk përmbush kërkesën e mbajtjes gjithnjë me vete të dëshmisë së regjistrimit do të shpallet fajtor për shkelje të ligjit dhe pasi të dënohet do të paguajë për secilën vepër penale një gjobë deri në 5,000 dollarë ose do të burgoset jo më shumë se 30 ditë, ose të dyja. Gjithashtu, çdo emigrant pa dokumente që nuk e ka përmbushur detyrimin ligjor për të njoftuar USCIS-in lidhur me ndryshimin e adresës do të bëhet person i deportueshëm, përveç rasteve kur ky emigrant arrin të vërtetojë se mosraportimi nuk ka qenë i qëllimshëm ose emigranti paraqet arsye që mjaftojnë për t’ia falur këtë shkelje.

Regjistrimi nuk përbën status emigrimi dhe dokumentacioni i regjistrimit nuk shërben si autorizim punësimi dhe as nuk të jep ndonjë të drejtë ose përfitim tjetër sipas INA-s ose ndonjë ligji tjetër të SHBA-së.

Mes të huajve të regjistruar përfshihen:

  • Rezidentët e ligjshëm të përhershëm (personat me green card);
  • Personat e huaj të cilëve u është lejuar hyrja në SHBA sipas INA 212(d)(5), madje edhe kur u ka kaluar afati i lejes;
  • Personat e huaj që janë lejuar në SHBA si jo-emigrantë dhe të cilëve u është dhënë formulari I-94 ose I-94w (qoftë si dokument letre qoftë dixhital), madje edhe nëse periudhës së pranimit i ka kaluar afati;
  • Të gjithë personat e huaj të pranishëm në SHBA të cilëve, përpara mbërritjes, u është dhënë vizë emigruese ose joemigruese;
  • Personat e huaj të cilët janë në proces deportimi, nga DHS-i;
  • Personat e huaj të pajisur me leje punësimi;
  • Personat e huaj që kanë aplikuar për green card nëpërmjet formularëve I-485, I-687, I-691, I-698, I-700, madje edhe kur aplikimet nuk iu janë miratuar; dhe,
  • Personat e huaj që janë pajisur me dokumenta për kalimin e kufirit “Border Crossing Cards.”

Kjo rubrikë nuk e zëvendëson konsultën individuale ligjore me një avokat që njeh mirë faktet dhe rrethanat që një person i caktuar ka paraqitur në çështjen e tij ose të saj. Ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit. Qёllimi ynёёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është: [email protected]

Comment

*