Lakmiqarët që duan të bëhen me zor ministra e drejtorë pa votat e mjaftueshe të shqiptarëve, duhet ta kenë të qartë se me këtë do t’i bëjnë një shërbim kolosal frymës nacioanliste maqedonase, e cila çdo zgjim të shqiptarëve po e quan “neobalizëm”, madje dhe duke e këmbyer lojalitetitn e zvarranikut me një grusht karamelesh që t’i jep pushteti i pamerituar.
Asnjë kurs nuk përvetësohet plotësisht nëse paraprakisht nuk kalon testin e provës. Maqedonisë së Veriut i duhet edhe një “seri leksionesh” që të dijë të ndajë patriotizmin rural maqedonas nga aspirata e pastër europiane. Sepse në narrativin (para)zgjedhor po dominon slogani turbonacionalist për “Rikthimin e shtetit, që nënkupton të rikthehet nga dikush (lexo: nga shqiptarët) që është grabitur.
Shqiptarët mund edhe të mos e ndjekin këtë “seri leksionesh”, por kjo nuk nënkupton neglizhimin e faktorëve që i bën ata më të konsoliduar politikisht. Kjo nuk i bënë ata të ndjehen komod para stinës së nxehtë politike që po troket, ku edhe një herë po dalin në sipërfaqe dy tendenca të kundërta në shoqërinë e këtushme – njëra që po mundohet ta kthejë prapa rrotën e proceseve të filluara euro-integruese dhe tjetra që nuk po gjen forcë të mjaftueshme për ta shpie Maqedoninëe Veriut para dyerve të BE-së.
Hendeku brendamaqedonas, në thelb ka një mospajtim, sidomos sa i përket kursit nga duhet të shkojë shteti, por në tërësinë e çështjes del që mospajtimi të jetë i degëzuar, ku shqiptarët, gjithsesi, qëndrojnë varur diku me pamjaftueshmërinë e tyre për të imponuar vetveten si faktor.
Pafuqia esenciale e shqiptarëve të Maqedonisë lidhet sa me kulturën e pamjaftueshme qytetare për të tejkaluar bindjet e ngushta partizane, po aq edhe me mosgatishmërinë e krijimit të opsioneve me fundament politik e kombëtar, që do të merreshin për bazë në çfarë do lloj negocimi me palën maqedonase. Madje kjo pamjaftueshmëri ka tendencë të mjegullohet nga ambiciet për pushtet të pamerituar dhe asgjë tjetër. Pushteti para kauzave kombëtatre, e ka bërë politikanin shqiptar sot dhe në të kaluarën të duket si një dordolec i mjerë që nuk e përballon tundimin e joshjeve rrezatuese të mandatarëve maqedonas. Sikur shqiptarët të ishin angazhuar më tepër për opsione që do të koncentronin fuqinë politike të tyre, situatën do ta kishim krejt ndryshe. As që do ti shkonte ndërmend dikujt të rekrutojë matrapazë shqiptarë, për të luajtur rolin e pykave e kallauzëve, si instrumente që e bën më të sofistikuar ndërhyrjen brutale në trupin elektoral të shqiptarëve.
Shqiptarët përfundimisht nuk duhet të zhvillojnë beteja për pushtet, para se të kenë qartësuar vizionin e përbashkët mbi strategjinë e bashkëpunimit me partitë politike maqedonase.
Dimensioni i pushtetit nga partitë politike shqiptare në Maqedoni është kuptuar si luftë për “jetë a vdekje”, por edhe si përjashtim arbitrar i çfarëdo lloj bashkëpunimi për çështje të caktuara, prandaj kryeministrat maqedonas e kanë patur gjithmonë opcionin rezervë të “partnerit që pret prapa dere”. Fatkeqësisht, në raste të caktuara ky truk i tyre ka dhënë edhe rezultate, kurse ajo që asnjëherë nuk arriti të projektohet në kauzë nga shqiptarët është pamundësia e krijimit të kontesteve të mëdha institucionale, qoftë përmes mospjesëmarrjes në krijimin e kabinteve qeveritare, qoftë duke imponuar platformë që do të përfaqësonin afinitet politike të gjithë spektrit politik e civil të shqiptarëve të Maqedonisë. Sepse, vetëm në këtë mënyrë fuqia negociuese e shqiptarëve me faktorin politik maqedonas do të ridimensionohej në një performancë efikase përfaqësimi, duke përfshirë interesat e gjithë spektrit politik shqiptar dhe duke manifestuar një unitet idesh e jo individësh për çështje e problematika të përbashkëta.
Ndryshimi i praktikave të deritanishme të koalicionimit me partitë maqedonase, eliminimi i interesave klienteliste me prapavijë korruptive dhe kriminale brenda strukturave partiake dhe forcimi i bashkërendimit brendashqiptar për çështje konzensuale, prej të cilave varet pjesëmarrja apo jo në qeveritë e ardhshme, do të duhej të jenë pjesë e kësaj platforme, e cila do t’ua mundësonte subjekteve politike shqiptare një skanim të thellë strukturave të brendshme partiake, duke flakur të gjitha ato segmente të korruptuara e kriminalizuar që de facto janë frenuesit më të mëdhej të politikave të përfaqësimit të shqiptarëve në institucionet e sistemit.
Lakmiqarët që duan të bëhen me zor ministra e drejtorë pa votat e mjaftueshe të shqiptarëve, duhet ta kenë të qartë se me këtë do t’i bëjnë një shërbim kolosal frymës nacioanliste maqedonase, e cila çdo zgjim të shqiptarëve po e quan “neobalizëm”.
Për rrjedhojë këta lakmiçarë po bëhen pjesë e maskaradës zgjedhore që po mundohet të instalohet në miliuen e këtushëm politik, duke i përjashtuar shqiptarët nga atributet e shtetformësisë dhe duke e këmbyer lojalitetitn e zvarranikut me një grusht karamelesh që t’i jep pushteti i pamerituar.
- 04. 2024