Lambrecht: Gjermania i mbështet aspiratat e Kosovës për anëtarësim në BE dhe NATO

Prishtinë, 5 maj 2022 – Ministrja gjermane e Mbrojtjes, Christine Lambrecht, ka thënë të enjten, 5 maj, në Prishtinë se Gjermania do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën ushtarakisht, kryesisht përmes pranisë së saj në misionin e NATO-s, KFOR.

“E kam siguruar palën kosovare se qëndrojmë përkrah Kosovës edhe sa i përket mbështetjes ushtarake. Do të mbetemi të angazhuar përmes KFOR-it. Do ta vazhdojmë angazhimin tonë edhe sa i përket trajnimit të FSK-së në mënyrë që ajo të marrë përgjegjësinë e saj në të ardhmen”, ka thënë Lambercht, në konferencën e përbashkët me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Zonja Lambrecht ka thënë gjithashtu se Gjermania i mbështet aspiratat e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Ajo ka thënë se Kosova do të bëjë progres në rrugëtimin e saj drejt anëtarësimit në BE, dhe ka shfaqur shpresën se dialogu me Serbinë do të fitojë dinamikë të re. Po ashtu, ka shfaqur shpresën se më13 maj, në takimin e kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, do të arrihet marrëveshja tër targat e automjeteve.

“Shpresoj që ky proces të marrë një dinamikë të re dhe shpresoj që do të ketë vendime të mira më 13 maj, në Bruksel. Hapat e parë do të mund të ishin për njohjen reciproke të dokumenteve dhe ky do të ishte një sinjal i mirë”, ka thënë ajo.

This image has an empty alt attribute; its file name is Christine-Lambrecht_Albin-Kurti.jpg

Edhe kryeministri Kurti është shprehur optimist se më 13 maj mund të arrihen marrëveshje për  tri çështje.

“Më 13 maj, unë shpresoj që përfundimisht do t’i kemi marrëveshjet për zgjidhje reciproke për targat, edhe për çështjen e mospagesës së energjisë në veri të Kosovës, e po ashtu edhe për nevojën për të përshpejtuar çështjen e zbardhjes së fatit të të pagjeturave, të të zhdukurve me dhunë”,  ka thënë ai.

Kurti ka thënë se për këto tema ka biseduar me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, të mërkurën në Berlin, gjatë darkës joformale të organizuar nga i dërguari i BE-së për dialog, Mirosllav Lajçak.

Aika  ritheksuar edhe një herë se marrëveshja gjithëpërfshirëse midis Kosovës e Serbisë duhet të ketë në qendër njohjen reciproke.

“Unë besoj që dialogu i Kosovës me Serbinë, i lehtësuar nga Bashkimi Evropian, duhet të zhvillohet brenda vlerave të BE-së, të ketë karakter transformues, edhe Kosova edhe Serbia, me qytetarët e tyre, të përfitojnë dhe t’i afrohemi anëtarësimit në BE. Ky dialog duhet të rezultojë me marrëveshje, por kjo marrëveshje duhet ta ketë njohjen reciproke në qendër. Nuk mund të them që njohja reciproke të jetë elementi i vetëm, por duhet të jetë në qendër”, ka theksuar ai.

Kurti ka thënë se kërkesa e presidentit të Serbisë për kompromis nuk është kërkesë për zgjidhje.

“Kërkesa për kompromise në kushtet kur (Vuçiq) thotë se asnjëherë nuk do ta njohë Kosovën dhe nuk distancohet as nga (Sllobodan) Millosheviqi e as nga (Vladimir) Putini, nuk është kërkesë për zgjidhje”, është shprehur Kurti.

(r.m.)