Nga Harry Bajraktari
Dy ditë më parë, pata nderin të marr pjesë në ceremoninë e lamtumirës së fundit për Sekretaren e Shtetit, Madeleine Albright.
Ajo do të mbetet përgjithmonë në zemrën dhe kujtesën e kombit shqiptar për kontributin e madh që dha për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës.
Me të drejtë Kosova ishte pjesëmarrëse në këtë ceremoni me Presidenten Vjosa Osmani, Kryeministrin Albin Kurti dhe ish-Presidenten Atifete Jahjaga.
Unë isha i shoqëruar nga ish-kryetari i Komitetit të Punëve të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan, mikun e madh të shqiptarëve, Eliot Engel.
Zonja Albright ka hyrë në histori si një fëmi emigrantësh, e lindur jashtë Amerikës, që u ngjit në krye të diplomacisë amerikane. Ajo simbolizon premtimin e madh të Amerikës si vend i lirisë dhe idemokracisë.
Presidenti Joe Biden, ish-presidentët Barack Obama dhe Bill Clinton morën pjesë dhe folën në ceremoninë dhe meshën kushtuar zonjës Albright. Po ashtu foli edhe ish-Sekretarja e Shtetit Hillary Clinton.
Veçanërisht prekëse ishin fjalimet e vajzave të saj.
Zonja Sekretare pushoftë në paqe! Kosova dhe kombi shqiptar nuk do ta harrojë kurrë.




