Shkrimi: Ruben Avxhiu
Foto: Halil Mula
Dhjetëra njerëz u mblodhën, dje, në Greenwich, Connecticut për t’i dhënë lamtumirën zonjës Mrika Xhema.
Përveç bashkëshortit Jim Xhema dhe familjarëve merrnin pjesë edhe miq shqiptarë e amerikanë, që kishin ardhur pavarësisht nga kushtet e pazakonta të vështirësisë në lëvizje dhe izolimit.
Mes pjesëmarrësve nga komuniteti shqiptaro-amerikan shquheshin edhe botuesi i gazetës “Illyria”, Vehbi Bajrami, kryetari i Federatës Vatra, Elmi Berisha (me vajzën e tij Adriana), drejtori i Departamentit të Kirurgjisë në Rrjetin e Qendrës Mjekësore në Westchester dhe i Kolegjit Mjekësor të New York-ut, Dr Rifat Latifi, aktivisti dhe biznesmeni i njohur Anton Raja, si dhe gazetari Halil Mula.
Ngushëllimet dhe procesi filloi nga Zyra Funerale “Leo P. Gallagher & Son”, në Greenwich, Connecticut.
Lutjet e rastit u mbajtën nga At Cyprian La Pastina i Kishës St Mary, që frekuentonte si besimtare e ndjera Mrika Xhema si dhe nga Dom Ndue Gjergji famullitar i Kishës Katolike Zoja Pajtore e Shqiptarëve në Michigan. Kleriku i njohur shqiptar kishte udhëtuar nga Michigani, posaçërisht për këtë rast dhe mbajti një përshpirtje shumë të ndjerë për Mrika Xhemën.
At La Pastina falenderoi Jezu Krishtin që e kishte kthyer varrin nga një simbol të humbjes, në një simbol të shpresës për ringjallje dhe u lut që një ditë Mrika të takohej sërish me njerëzit e saj të dashur.
Përcjellja e fundit ishte emocionuese. Një autokolonë funebre e vënë në dispozicion nga autoritetet lokale përshkoi rrugën drejt varrezës. Një grup miqsh të familjes bartën arkivolin dhe pas përshpirtjes së Dom Ndue Gjergjit, Jim Xhema tha disa fjalë lamtumire emocionuese për shoqen e tij të jetës.
Përveç miqve dhe bashkëpunëtorëve të afërt nga komuniteti që ndodheshin në varrim, Jim Xhema ka marrë mesazhe ngushëllimi nga shumë figura politike në SHBA dhe në atdhe. Për të përmendur disa: Ish-Senatori Amerikan Bob Dole, kryetari aktual i Senatit Amerikan, Mitch McConnell, kryetari i Komitetit të Politikës së Jashtme në Kongres, Eliot Engel, Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta, Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ministri i Jashtëm i Kosovës Glauk Konjufca, ish kryeministri Ramush Haradinaj, kryetari i LDK-së Isa Mustafa, ish presidenti e kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha, kryetari i PD-së Lulzim Basha, nga Medvegja vendlindja e Jim Xhemës biznesmeni dhe politikani Marco Saljihu, Ambasadorja Vlora Çitaku, Ambasadorja Teuta Sahatqija, gjykatësi kushtetues Ambasador Bekim Sejdiu, Ambasador Ylber Kryeziu, veprimtari Harry Bajraktari, nga Rrjeti i Bizneseve Nazar Mehmeti, anëtari i Këshillit Bashkiak nga New York City, Mark Gjonaj etj.
Mrika ishte një grua e jashtëzakonshme dhe do të mbahet mend gjithmonë për përkushtimin e saj ndaj bashkëshortit, ndaj shqiptarisë dhe besimit të saj fetar”, u shpreh për gazetën “Illyria”, Elmi Berisha, presidenti i Federatës Vatra dhe bashkëpunëtor i vjetër i Jim Xhemës.
“Mrika ishte bashkudhëtare e jetës së Jim Xhemës dhe kjo është një humbje e madhe për familjen e për komunitetin”, tha botuesi i gazetës “Illyria”, Vehbi Bajrami. “Ashtu si Jim Xhema edhe Mrika nuk ka dashur të bëjë publike në media bamirësinë e saj dhe vetëm tani njerëzit po mësojnë për bujarinë dhe angazhimin e saj”.
Janë në fakt, shumë pak ata njerëz që kanë bërë dhe kanë dhënë aq shumë për Kosovën dhe çështjen shqiptare sa Jim Xhema dhe familja e tij. Kjo valë ngushëllimesh e shprehje e solidaritetit nga figura shtetërore e politike, po edhe në rrjetet sociale, është dëshmi e mirënjohjes së thellë kombëtare për kontributin e këtij njeriu që i ka qendruar larg medias e nderimeve publike e zyrtare, por që ka dhuruar shuma që mund të kenë shkuar në miliona dollarë për lobim politik e kombëtar si dhe për veprimtari humanitare e bamirëse.
Në veçanti nga Prishtina, Kosova kishte ardhur një lutje për shpirtin e Mrikës nga Don Lush Gjergji, në emër të Katedrales “Nënë Tereza”, për të cilën çifti Xhema ka dhënë një kontribut bujar historik:
O Hyj,
Krijuesi dhe Shpëtimtari i mbarë njerëzimit.
Dëgjo lutjet tona të përvujta, për shërbëtoren tënde, bijën, motrën dhe bashkësorten, Mrikën.
Ajo ka besuar dhe të ka dashur Ty, si dhe çdo njeri, sidomos nevojtarët.
Për çdo mendim, fjalë dhe veprim të mirë, për mirësi dhe bamirësi ndaj Teje dhe Katedrales “Nëna Tereze” në Prishtinë, shpërbleje ashtu si Ti di, në amshim.
Jepja asaj dritën, paqen, jetën dhe lumturinë e amshuar, ndërsa familjes ngushëllimin.
Bëjë që një ditë të jemi së bashku në jetën e pasosur, ku do të fshihet çdo lot vaji dhe pikëllimi.
Të që jeton dhe mbretëron në shekuj të shekujve.
Amen
Lutja e dërguar nga Prishtina nga Don Lush Gjergji
Kisha Katolike e Kosovës
Jeta dhe veprimtaria e zonjës Mrika Xhema
Zonja Xhema ishte një besimtare e devotshme katolike dhe anëtare e Kishës St. Mary në Greenwich, ku është shquar për mirësinë e saj dhe veprat bamirëse.
Të tillë do ta mbajnë mend përherë edhe shqiptarët. Bashkë me bashkëshortin Jim Xhema, ata dhuruan 100,000 dollarë për ngritjen e Katedrales Nënë Tereza, në Prishtinë, Kosovë.
E lindur në 24 shkurt 1946 dhe e rritur në një familje shqiptare, në Tivar të Malit të Zi, ajo ruajti zakonet dhe traditat shqiptare.
Që herët kishte dëshmuar një talent për modën, argjendarinë, si dhe modelimin e mjediseve të shtëpive, për çka kishte kryer edhe studimet. Ishin të dy studentë, në Beograd, kur u njohën me Jim Xhemën. Nuk kishte të ardhme për dy shqiptarë si ata në Jugosllavi dhe në vitin 1969 emigruan në SHBA.
Siç e dimë, Jim Xhema u bë një biznesmen shumë i suksesshëm, por Mrika luajti rolin e saj duke punuar, për një kohë, si Sekretare Ekzekutive e firmës “Xhema Industries”.
Si bënte të ditur një shkrim në një gazetë amerikane, shkruar në kujtim të saj, miqtë e afërt do ta mbajnë mend gjithmonë Mrikën për humorin dhe zgjuarsinë. Kishte një kujtesë të habitshme, gati fotografike. Fliste katër gjuhë të huaja dhe dallohej për interesin e madh në kinematografinë amerikane. I çudiste bashkëbiseduesit me njohuritë e saj enciklopedike për këtë zhanër. Ishte gjithashtu edhe një dashamirëse e muzikës xhaz.
Ndonëse vuajti për shumë vite nga një sëmundje e rëndë, Mrika Xhema ishte gjithmonë e lumtur dhe optimiste, një natyrë që ndikonte te kushdo që i ndodhej pranë. Megjithë vuajtjet fizike, nuk u ankua kurrë.
Përkundrazi, si thotë në shoqe e saj e cituar nga shkrimi në fjalë, Mrika Xhema “ishte një grua e rrallë: mishërimi i dinjitetit, fisnikërisë, inteligjencës dhe bukurisë”.
Të dy bashkëshortët ishin shumë të lidhur dhe kishin udhëtuar shpesh nëpër botë. Deri në fund të jetës mbajti jetën sociale, me miq të afërt, me dreka e darka, gjithmonë e paraqitshme.
Ajo u nda nga kjo jetë, qetësisht, e rrethuar nga Jim Xhema e miqtë e famijarët, duke dëgjuar muzikën xhaz që e deshi aq shumë.
Pjesëmarrësve të funeralit, si dhe miqve e dashamirësve të shumtë që nuk morën dot pjesë, në vend të luleve iu kërkua që të bënin një dhurim në emër të Mrika Xhemas, për UNICEF-in ose Save the Children, dy prej organizatave humanitare të saj të preferuara. (Fotografitë nga Halil Mula – teksti Ruben Avxhiu/Illyria)