Trashëgimia e saj e rëndësishme në politikën amerikane është errësuar disi nga refuzimi i saj për të dalë në pension – dukuri në thellim e elitës gjithnjë e më të vjetëruar politike në SHBA
Nga Ruben Avxhiu
Vdiq në moshën 90-vjeçare Senatorja e shquar amerikane Dianne Feinstein.
Ishte një figurë e rëndësishme e Kongresit Amerikan, e krahut liberal, me një kontribut të madh politik në vite. Ishte gjithashtu pjesë e një elite gjithnjë e më të moshuar politike në SHBA që nuk po i hap rrugë brezit më të ri politik në vend.
Përtej dritë-hijeve të luftës së brendshme politike amerikane, për shqiptarët, Senatorja Feinstein do të mbahet mend për rolin e saj pozitiv në debatet kombëtare për Kosovën dhe rajonin në Ballkan. Po vijoj këtu vetëm disa momente.
Në korrik të vitit 1998, së bashku me Senatorin Al D’Amato (dhe 14 kolegë të tjerë, ndër ta edhe Presidenti i sotëm Joe Biden) paraqitën një rezolutë të përbashkët në Senat dhe Dhomën e Përfaqësuesve që kërkonte përndjekjen si “kriminel lufte” të diktatorit serb Sllobodan Millosheviq për krimet e kryera ndaj shqiptarëve në Kosovë.
Një vit më vonë, ajo mbështeti Presidentin Clinton dhe ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë që solli çlirimin e vendit.
Në 2006, së bashku me një numër kolegësh paraqitën dhe aprovuan në Senat një rezolutë që e quante të papranueshëm statusin e pavendosur të Kosovës, duke kërkuar zgjidhjen e tij. Ishte pjesë e një numri aktesh zyrtare, ligjore, e diplomatike që hapën rrugën drejt pavarësisë së Kosovës.
Për këto e shumë të tjera shqiptarët kudo në botë përfshi edhe në SHBA do t’i jenë përgjithmonë mirënjohës Senatores Dianne Feinstein.
Në planin e brendshëm politik, gjithësesi nuk mund të rri pa vënë në dukje se Senatorja e shquar ishte pjesë e elitës politike të moshuar amerikane që e ka tejkaluar të drejtën morale të qendrimit në politikë.
Kontributi i madh duhet të kurorëzohet me dalje me dinjitet në pension.
Nuk duhet të ketë diskriminim për moshën dhe gjithnjë e më shumë në SHBA njerëzit po vazhdojnë të punojnë dekada pas moshës së pensionit (67 vjeç). Nga ana tjetër, disa politikanë në SHBA po vijojnë në detyrat e tyre të rëndësishme pavarësisht se nuk janë më mendërisht të aftë për t’i kryer ato.
Aleatë e mbështetës të partisë së saj prej kohësh e kanë lutur Senatoren Feinstein, familjen dhe stafin e saj që të hapë rrugën për një politikan të ri, për shkak të rënies së madhe fizike e shëndetësore të saj.
Dukuria është e përhapur te të dy partitë kryesore politike amerikane në Senat dhe në Dhomën e Përfaqësuesve. Kandidatët kryesorë të të dy partive për zgjedhjet presidenciale do të jenë gjithashtu mbi moshën 80 vjeç kur të fillojë mandati i ri në Shtëpinë e Bardhë në janar 2025.
Problemi kryesor sigurisht është te sistemi aktual politik që e bën të vështirë mposhtjen e ligjvënësve në fuqi dhe drojën e makinerisë politike të të dy partive për t’i dhënë një shans brezit më të ri. Në fakt, duke parë disa figura të këtij brezi ngurrimi nuk është edhe aq i pakuptueshëm.
Senatorja Feinstein ishte kryebashkiakja e parë grua që u zgjodh kryetare bashkie në San Francisco dhe një nga gratë e para të zgjedhura si anëtare të Senatit Amerikan në historinë e Shteteve të Bashkuara.
Pavarësisht prej këtij fundi të stërzgjatur në pritje të një pensioni të merituar por që nuk erdhi kurrë, ajo do të mbetet në histori e do të kujtohet me respekt si nga zgjedhësit e saj, ashtu edhe nga shqiptarët në Kosovë e rajon për rolin e saj të drejtpërdrejtë në jetën e tyre.