Lamtumirë Engjulli mbrojtës i Kosovës, Robert “Bob” Dole!

halil-matoshi
Halil MATOSHI

Derë e hapun për Kosovën…

Si prolog

Robert Joseph Dole, Heroi amerikan dhe kosovar, kaloi në amshim tue lanë mas vetes ni botë ma t’mirë, me Kosovën e lirë, shtet të pavarm e sovran, brenda saj.

Mik i zânun spari nga vllaznit Xhema (Ramadani e Xhemajli) në fund të viteve ‘80, Senatori Dole deri në frymën e fundit u kujdes për Kosovën.

Dera e Senatorit Dole ishte e hapun që atëherë, për t’shtypunit e fundit në Europë, shqiptarët.

Ajo derë ka me qenë metafora e përhershme e shpëtimit të popujve të vegjël siç ishte ai i Kosovës, si ni portë lirie, mas të cilës rri ni burrë i madh që u bâ sebep që kosovarët janë sot mes kombeve të gjalla.

1.

Shoqërues të Senatorit Bob Dole në udhëtim në Kosovë, më 29 gusht 1990 ishin edhe senatorët John W. Warner nga Virxhinia, Jake Garn nga Utah, Don Nickles nga Oklahoma, Alfonse M. D’Amato i Nju Jorkut, Steve Symms i Idaho dhe Connie Mack nga Florida.

2.

Policët e trazuar përdorën shufra gome dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë mijëra shqiptarë etnikë në pritje të një delegacioni të Kongresit të Shteteve të Bashkuara për t’u ankuar për abuzimin e të drejtave të njeriut.

Rreth 10,000 njerëz që brohorisnin “liri, liri!” Dhe “USA, USA!” u mblodhën përpara një hoteli, ku delegacioni i shtatë senatorëve republikanë pritej të zhvillonte bisedime me udhëheqësit e shumicës shqiptare në Kosovë, provinca jugore eJugosllavisë. Një raport i radios thotë se gjashtë persona u plagosën dhe gjashtë u arrestuan.

Delegacioni, i kryesuar nga senatori Bob Dole i Kansas, arriti në Prishtinë tre orë pas përplasjes dhe u drejtua nën shoqërimin e policisë në një hotel, për një takim me udhëheqësit e grupeve politike shqiptare. Një takim tjetër, me udhëheqësit e serbëve rivalë, ishte planifikuar gjithashtu.

Shqiptarët etnikë, të cilët përbëjnë 90 përqind të 1.9 milion njerëzve të Kosovës, po protestojnë ndaj vendimit të muajit të kaluar nga autoritetet Komuniste të Serbisë për ta hequr autonominë e Kosovës.

Kosova është një autonomi administrative nën Serbi, republika më e madhe e Jugosllavisë – shkruante The New York Times për ngjarjën e 29 gushtit, 1990, në Prishtinë.

3.

Shkrimtari i bestsellerëve Paulo Coelho e përdor fjalën arabe ‘Maktub’ për ‘u kânë e shkrueme’ që m’doket shumë afër fatumit Nietzschean.

Atëherë 21-vjeçari Bob Dole duhej të kishte vdekë pasi u qëllue nga gjermanët në Luftën e Dytë Botnore dhe njashtu 20-vjeçari George HW Bush, si pilot, masi ishte qëllu’ në qiell nga japonezët.

Më 2018, Senatori 95-vjeçar Dole u que n’kambë nga karroca e tij, me i thânë lamtumirë Presidentit 94-vjeçar Bush Senior.

Pamje madhështore dhe e bukur!

Si epilog –

Djalë mas djali e qikë mas qike, Kosova e pavarme e sovrane ka për borxh me i nerue sa t’jenë jeta me njerëz – institucionalisht – burrat si Bob Dole.

Rest In Peace Bob!

May be an image of 9 people and people standing
Delegacioni i Kosovës te Senatori Dole, maj 1990, Uashington