LAMTUMIRË I DASHUR Ing. AZEM THAÇI

Nga Thanas L. Gjika

Ing Azem Thaçi

Gjatë vizitës që po bëja në Shqipëri, kishte ndërruar jetë aksidentalisht komshiu im i Illyrian Gardens, Ing. Azem Thaçi, shqiptar nga Kosova. Kishte qenë midis djemve djali më i vogël i një familjeje me shumë motra e vëllezër. Motra më e vogël, Zarifja, jetonte ne Angli ndërsa dy motrat më të mëdha, Hanifja dhe Hasimja jetonin në Kosovë. Vëllai më i madh, Z. Rasim Thaçi jeton në Kosovë. Edhe vëllai tjetër, Z. Adem, i cili mbas luftës së vitit 1999 kishte ardhur me familjen për të jetuar në Worcester MA, ndodhej për vizitë në Prishtinë. Azemi ka dhe një vajzë, Z-njusha Sylvia, e cila jeton në Kaliforni. Sylvia erdhi dhe mori pjesë në ceremoninë e varrimit të babait të saj, ceremoni të cilën e organizuan nipat e Azemit, Batoni dhe Besnik Thaçi. Në varrim morrën pjesë shumë familjarë dhe shoqëri e Azemit. Me të marrë lajmin e hidhur kishte ardhur menjëherë nga Kosova vëllai i madh Ademi me të shoqën Nexhmien dhe motra e vogël Zarifja nga Anglia, gjithashu nga Florida erdhi edhe vajza e motrës së madhe Nexhmia me dy djemtë e saj Cenin dhe Fisnikun. Në fshatin e lindjes, në Sibovc të Kosvës u organizua me këtë rast një përkujtim për Azemin prej vëllezërve të tij Rasim dhe Adem Thaçi, kurse nipi Batoni priti ngushëllime në shtëpinë e tij në Amerikë, por mua dhe stafit zyrtar të Illyrian Gardens, Zonjave Sandy Dionis dhe Enni Kosta – Manaxhere dhe Ndihmësmanaxhere, na e deshi zemra që të organizonim një përkujtim në ambjentet e godinës ku Azemi jetoi 5 vjetët e fundit të jetës së tij dhe na kishte lënë kujtime e mbresa gjatë takimeve e shoqërimeve të ndryshme.

Pasi u mor dhe mendimi i familjarëve, Z. Adem, që ishte kthyer nga Kosova e djemve të tij, vendosëm lajmërimin tek hyrjet e të tri kateve të godinës dhe mbas një jave organizuam ceremoninë përkujtimore, ku u mblodhën banorë të Illyrian Gardens, familjarët, si dhe dy miq të tij, që jetojnë në Worcester, MA, Z-injtë Shyqeri Bytyçi dhe Dalip Karamenti.

Në tavolinën kryesore u ulën Z. Adem Thaçi me bashkëshorten Z-njën Nexhmie, vajzën Antigona, djalin Batonin dy vajzat e vëllait të madh Zonjat Shpresa dhe Kosovare e mbesën Liza.

Zonja Enni Kosta falenderoi pjesëmarrësit për praninë e tyre, bëri prezantimin e rastit dhe shprehu ngushëllimet për humbjen e papritur të Ing. Azem Thaçi, i cili ishte shquar si një nga banorët më të sjellshëm të Illyrian Gardens-it. Më tej ajo ia dha fjalën mësuesit pensionist Shyqeri Bytyçi, mik e shok i vjetër i të ndjerit që nga vitet 70-të të shek. XX-të, kur punonin së bashku në Prishtinë.

Midis tjerash Shyqeriu tha:

“Jetën dhe aktivitetin e Azemit tonë të dashur po ua tregoj sipas të dhënave që mblodha në shkrime të hedhura në Face-Book nga Rakip Sadiku dhe Antigona Thaçi, duke u mbështetur dhe në kujtimet e mia personale.

Jeta e Azem Thaçit, është jeta e një veprimtari aktiv, që i a kushtoi jetën luftës për të drejta shoqërore, politike e kombëtare të shqiptarëve të Kosovës. Ai u lind në gjirin e një familjeje atdhetare në fshatin Sibofc në nëntor të vitit 1949. Që në fillim ai u shqua midis bashkëmoshatarëve të vet për zgjuarësinë natyrale. Mirëpo pa filluar ende shkollën fillore, në vitin 1949 familja e tij u detyrua të shpërngulej në fashatin Dorful të Maqedonisë. Aty djaloshi ndoqi mësimet në shkollën e fshati në gjuhën turke, sepse qeveria jugosllave përpiqej t’ua ndërronte identitetin shqiptarëve në turq me synimin që t’i përcillte për në Turqi. Ajo qeveri e justifikonte këtë krim me faktin se banorët shqiptarë të Maqedonisë e të Kosovës i përkisnin besimit islamik.

Në vitin 1961, kur Azemi kishte mbaruar me rezultate të shkëlqyera klasën e katër dhe zotëronte mirë turqishten, nëna e tij, trimëresha Zahide, mundi ta kthente familjen në Kosovë, por pa kryefamiljarin e vet. Babai i Azemit, Hamza Thaçi ishte ndarë nga jeta në vitin 1957 në moshën 43 vjeçare pas torturave dhe vuajtjeve në burgun Jugosllav kur ishte sëmurë rëndë nga TBC. Hamzai ishte mësuesi i parë i shkollës në gjuhën shqipe në fshatin Sibovc. Ishte poashtu aktivist i palodhshëm për punë atdhetare. Për punën e tij patriotike është burgosur dhe torturuar shumë nga rexhimi Jugosllav e si pasojë vdiq i ri. Sot një rrugë në fshatin Sibovc e mban emrin e tij. Edhe shkolla fshatit e mban fotografinë e tij si mësuesi i parë i gjuhës shqipe. Gazetari Muhamet Mjeku i gazetes “Illyria” New York kishte shkruar një biografi të shkurtër të mësuesve të parë të Kosovës, ku ishte përfshirë dhe Hamza Thaçi.

Mbas kthimit në Sibovc Azemi kreu klasën e pestë e të gjashtë dhe më tej vijoi dy vjet për xehtari në shkollën profesionale të minierës së Hades. Pastaj kreu shkollën e mesme teknike dega elektronike në Prishtinë, të cilën e përfundoi në vitin 1969 me rezultate të shkëlqyera. Vijoi pa ndërprerë studimet e larta në Fakultetin Teknik dhe pastaj kreu në Universitetin e Beogradit një kurs për programim kompjuterash. Pra ai arriti të ishte një ingjinier i kompletuar, por për shkak se i njiheshin synimet e tij politike nuk iu dha punë sipas diplomës. Për të siguruar mbijetesën u detyrua të pranonte propozimin e mikut të tij Sejdi Sadiku dhe punoi gjatë vitit shkollor 1972-1973 si mësues i Matematikës e Fizikës në klasat V-VIII në shkollën e fshatit të lindjes. Në vjeshtë të vitit 1973 unë si drejtor i Bankes Interne të Agrokosovës e mora në punë për programim kompjuterash, ku Azemi dha një ndihmesë të ndjeshme dhe në aspekte të tjera të aktivitetit të asaj banke. Kishim kryer bashkë kursin e kompjuterit në Beograd, ku flinim në një dhomë.

Miqësia ime me Azemin u ngjiz ne Beograd, por u konsolidua gjatë viteve 1976-1982 kur punuam së bashku në Bankën Interne “Agrokosova”. Puna e këtij ingjinieri ishte vendimtare për realizimin e instalimit dhe funkcionimit të SOFTWER-it për qarkullimin e pagesave. Kjo arritje e bëri Bankën Interrne shume atraktive midis organizatave të bashkuara në Kombinatin Agroindustrial “Agrokosova”.

Meqenëse Banka Interrne nuk ishte në fakt Bankë sipas dispozitave ligjore të Republikës Federative Socialiste të Jugosllavisë, ishte shume e veshtire, qe ky funksion të merrej nga Shërbimi i Kontabilitetit Shoqeror, i cili funksionante për të gjitha Subjektet Juridike Ekskluzive permes rrjetit të SHKSH (që ishte me Filiale, degë dhe ekspozitura), të shtrira gjithandej nëpër RSFJ.

Banka Interrne u përcaktua me ligj, si “VETE-ORGANIZIM FINANCIAR” i organizatave të bashkuara, gjë që i lejoi anëtaret, që këtë funksion financiar për qarkullimin e pagesave ta kryente pa pengesë me anën e kësaj banke. Ky sukses i dedikohej punë me cilësi profesionale të Ing. Azemit. SHKSH dhe Bankat Komerciale përpiqeshin ta pengonin Bankën Interne, sepse aktiviteti i kësaj banke të re ua ngushtonte aktivitetin e tyre financiar, por ato nuk mundën ta dëmtonin dot atë. Programi i Qarkullimit te pagesave i zhvilluar, kryesishte falë aftësive të jashtëzakonshme të Azemit, ishte shumë më i avancuar se aktiviteti i SHKSH dhe i të gjitha Bankave Afariste që punonin aso kohe në Kosovë.

Programi Softwer, që krijoi Ing. Azemi bënte të mundur që Subjektet Juridike (antarët dhe jo antarët), të përfitonin interesa më të larta në depozitimet e tyre, dhe interese më të ulta në kreditimet e shfytezuara nga Banka Interrne.

Ekstratet e Bankes Interrne përmbanin informacione të sakta për të hyrat e të dalurat e tyre ditore dhe kumulativi i interesit (kamatës), si dhe për Depozitimet dhe Kreditë e ndryshme që Subjektet i shfrytezonin gjer në ditën kur hartohej ekstrati. Ky pasqyrim korrekt i Afarizmit financiar, i shprehur ne Ekstratet që Subjekteve iu dergohej cdo ditë, e beri Banken Interrne “Agrokosova” shume tërheqëse. Asaj ia besuan këtë funksion tepër të rëndësishëm e tepër të ndjeshëm, jo vetem antaret e KAI “Agrokosova”, por edhe shumë ndërmarrje të mëdha, anembanë Kosovës.

Azemi ishte nder kuadrot e parë që e kapi dhe e aplikoi programimin me Softwer duke sjelle perfitime nga zbatimi i saj.

Si karakter njerëzor nuk mund të mos them se Azemi ishte një personalitet me moral të vecantë. Ai kurrë nuk kërkoi shpërblim për kontributin e tij të jashtezakonshëm që i solli Bankës Interne. I gëzohej cdo perparimi që bënte dhe kjo e kënaqte. Atij i interesonte e pergjithmja, kryesisht përparimi kombetar i shoqërisë. Për këtë përparim ai ishte i gatshëm të jepte shumë gjer në vetmohim.

Po ndalem edhe te rasti i Mbledhjes që na kishte imponuar Komiteti Krahinor i Lidhjes Komuniste i RSFJ-së, për të bërë DIFERENCIMIN, pas Demonstratave të vitit 1981.

Kolektivin tonë, Komiteti Krahinor e kishte Shpallur astion të Nacionalizmit dhe Iredentizmit Shqiptare, sepse aty punonte një organizator i Demostratave te vitit 1968, i cili ishte dënuar me burg mbi 1 vit në Burgun famëkeq të Goli Otokut. Përvec kësaj kishin konstatuar se dy prej organizatorëve të demostratave të vitit 1981 e merrnin rrogën tek ne, por ata nuk vinin në punë për të mos i arrestuar. Njerëzit e Sigurimit punonin fshehurazi, ata nuk më vunë në dijeni as mua, që isha drejtor.

Gjatë diskutimeve të ashpra që organizuan të ngarkuarit për Diferencimin politik nga ana e Komitetit Krahinor, reagoi Azemi, duke pranuar të bëhej viktimë për ta thënë të vërtetën. Ai guxoi të thoshte serbisht se demosturesit kërkojnë shpalljen e Kosovës Republikë, sepse në Konferencën e Mukjes dhe në atë të Bujanit ishte pranuar që Populli i Kosovës do të shpallte me referendum menjëherë pas Clirimit se mund t’i bashkohej Shqipërisë AME. Sot demostruesit po kërkojnë shumë më pak se PREMTIMET e LNQ-së, dhe të AVNOJ-it që u mbajt nën kryesinë e Josip Broz Titos. Këto Premtime pastaj vetë Partia Komuniste Jugosllave i shpalli inekzistente. Unë u detyrova ta ndërpres duke thënë se nuk dija asgjë lidhur me këto gjëra…

Po ashtu ndërhyri dhe i dërguari shqiptar për Diferencim, duke thënë si me ton të ashpër se ato konfernca ishin të gabuara dhe vendimet e tyre ishin “gjëra të vdekura”. I ndodhur në pozitë të vështirë para serbëve që ishin të pranishëm e që pritej të shpërthenin, diferencuesi shqiptar, i cili ishte një shqiptar vërtet i mirë, me zgjuarsinë dhe përvojën e tij si politikan, e mbylli mbledhjen duke mos u dhënë rast serbëve që ta sulmonin Azemin e ta arrestonin.

Në të dalë nga mbledhja Azemi më shprehu keqeardhje për shpërthimin e tij dhe pasojat që mund të kishte ai dhe unë si drejtor. Që nga ajo ditë, për të mos na vënë në telashe, ai nuk u paraqit më në punë. Të gjithë e admiruam sepse ai tha të vërteta që duheshin thënë.

Demontratat po vazhdonin. Demostruesit solidarizoheshin me të burgosurit dhe shprehnin pezm për të vrarët. Pas disa muajsh morra njoftim se Azemi ishte punsuar ne Minierën Sipërfaqësore të Bellaqevcit, ku nuk ndalej së vepruari duke dhënë informacione për demostratat, të cilat ishin në kundërshtim me linjë propagandistike të Partisë Komuniste, dhe pikërisht aty e burgosën bashkë me Sejdi Sadikun, drejtorin e shkollës “Migjeni” të Sibofcit. Këta ishin ndër organizatorët e demostratave famëmëdha, që tronditën Jugosllavinë. Pasi e kreu dënimin prej 14 muajsh Azemi nuk mund të gjente dot punë, prandaj filloi të ushtronte privatisht profesionin e fotografit në Sibofc e në Prishtinë, profesion që e kishte përvetësuar vetë në rrugë autodidakte.

Në vitet 1987-1989 Azemi punoi si inxhinier elektronik në Bardh të Madh. Mirëpo proceset e diferencimit ideopolitik e detyruan që të lagohej nga Kosova, për t’i shpëtuar riburgosjes. Arriti të arratisej e të vendosej në Gjermaninë Federale, ku u punësua për pak kohë e më tej shkoi në Suedi, prej ku Azemi emigroi në vitin 1990 në SHBA.

Së pari ai u vendos në New York, ku punoi disa punë të ndryshme për shkak se nuk e zotëronte si duhej anglishten. Azemi ishte poliglot, ai zotëronte mirë pesë gjuhë të huaja: serbishten, maqedonishten, turqishten, polonishten (këtë e kishte mësuar gjatë pushimeve verore kur shkonte si turist në Poloni) dhe gjermanishten. Anglishten e zotëroi mbas dy vjetëve kur punoi si fotoreporter në gazetat “Dielli” dhe “Illyria”. Pronarët e këtyre dy gazetave ia dërgonin falas vazhdimimisht numrat e gazetave edhe kur Azemi erdhi me banim në Worcester, Massachusetts, mbas vitit 1993. Mbas luftës së vitit 1999, unë dhe vëllai i Azemit bashkë me familjet tona erdhëm për të banuar pranë tij në Worcester. Këtu miqësia ime me të u forcua dhe më tej.

Në këtë qytet ai shumë shpejt krijoi kompaninë e vet private të telefonisë OCTAGON. Filloi të ndihmonte shumë shqiptarë të ardhur rishtas. Përpiqej të ndihmonte në ngjizjen e komunitetit shqiptar të këtushëm. I merrte e i shpinte tek Pizza e atdhetarit Ferrid Abdullahu në Webster, MA, ku ky shqiptar i Maqedonisë, ish-mësues i gjuhës frënge me bashkëshorten Zonjën Olimbi shtronin dreka bujare dhe i mbushnin vizitorët plot optimizëm për të ardhmen e Shqipërisë e të mbarë botës shqiptare. Feridi dhe Azemi kishin mbaruar shkollat e larta në Jugoslavinë e Titos. Ata e ndiqnin jetën e Ballkanit Perëndimor shumë më gjerë e më thellë se mërgimtarët e këtushëm. Me formimin e tyre dhe me njohjen e shumanshme të jetës e të mentalitetit të popullit shqiptar të Kosovës e të Maqedonisë, ata u bënin sqarime të drejta dëgjuesve për ngjarjet që ndodhnin në ato anë të Ballkanit dhe i mbushnin me optimizëm.

Azemi u aktivizua edhe pranë shoqërisë NEARO për të cilën mblidhte ndihma që dërgoheshin në Shqipëri e Kosovë. Bashkë me shqiptarët e Worcester MA ai ka marrë pjesë aktive në mitingjet që organizoheshin në Boston, MA e New York prej Federatës Vatra e komunitetit shqiptar në mbrojtje të çeshtjes kombtëtare dhe të njohjes së Republikës së Kosovës. Ishte i pranishëm në festimet e Ditës së Flamurit dhe në festimin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovë.

I dashur Azem të qoftë i lehtë dheu i tokës amerikane në Hope Cemetery!”

Për aktivizimin e tij në Shoqatën “KOMBI” që u organizua këtu në Worcester MA në mbështetje të Republikës së Kosovës, foli Z. Dalip Karameti, një nga themeluesit e drejtuesit e kësaj shoqate. Z. Dalip Karammeti është një atdhetar i njohur që në rininë e tij të hershme. Kur ishte 15 vjeçar ai u arratis nga Dibra e Madhe dhe u fut në Shqipëri, por aty kaloi mjaft vite vuajtjesh sepse dyshohej mos ishte dërguar si agjent i Jugosllavisë. Me shumë mundime mbaroi Institutin Pedagogjik të Elbasanit dhe punoi shumë vjet si mësues i historisë në Laç, ku e gjetën ndryshimet e viteve 1991-1992. Më tej ai emigroi familiarisht në Greqi, ku iu sëmur e i vdiq bashkëshortja. Më tej ai mundi të vinte në ShBA bashkë me tri vajzat e tij, ku vijoi aktivitetin e vet atdhetar si një nga drejtuesit e Shoqatës “KOMBI”.

“Azem Thaçi, tha midis tjerash z. Karameti, ishte një nga veprimtarët shembullorë të Shoqatës “KOMBI”, çdo punë që t’i ngarkoje atij, dihej se do të kryhej me përpikmëri”. I jam shumë borxhlli për gjithça kreu në bashkëpunim me mua gjatë viteve të ekzistencës së shoqatës.

I përjetshëm qoftë kujtimi i Azem Thaçit, veprimtarit të palodhur dhe të kujdesshëm!”

Mbas këtyre fjalëve u shërbyen disa meze, pije freskuese, kafe dhe biskota. Bisedat vijuan nëpër tavolina ku zotëinjtë Koço Mano, Berti Luarasi, etj treguan momente nga shoqëria e bisedat, që kishin pasur me Azemin gjatë shëtitjeve të tyre rreth e rrotull Illyrian Gardens.

Para largimit familjarët e të ndjerit falenderuan organizatorët dhe pjesëmarrësit e ceremonisë…

I paharuar qoftë kujtimi i Ing. Azem Thaçit, veprimtarit të palodhur të çeshtjes kombëtare në Kosovë dhe këtu në diasporë!