Shqipëria në zi dhe shqiptarët në mbarë botën. Si ata që e kanë njohur nga afër dhe lexuesit anembanë të shumë kombësive.
Këtë foto po e bashkengjis jo për megalomani, por kjo ka një histori për t’u harruar.
Në qershor 1991, Ferideja dhe unë kemi qenë me fat t’i kemi mysafirët e nderuar për një jave në shtëpinë tonë të fundjavës, në Windham, NY, 150 milje nga NYC.
Për 7 ditë të qendrimit të tij Ismaili shkruante çdo mëngjes, pranë dritares ku ai shijoi pamasë bukurine mahnitëse me gjelbrim dhe përroit të qetë, gjë që ma përsëriti shumë herë se sa i ka pelqyer panorama e qetë dhe totalisht private .
Këtu ai shkroi një kapitull të librit PESHA E KRYQIT, të cilën gjë e vë në evidence në parathënjen e librit.
Në tetor të vitit 1990, ishim për pushime me familjen kur miku ynë gjerman Dr Jens Reuter, me zonjën ishin mysafirë në apartmentin tonë për miq në McDougal Street, NYC.
Më telefonoi në mëngjes: “Kadare ka defektuar në Francë. Grusht i fortë kundër regjimit komunist të Tiranës.”
Familja jone ka pasur takime të shumta me Kadaretë, prandaj njihemi mirë.
Ismaili ka qene antikomunist i vendosur.
Rastësisht qëllova në vizitë në Paris kur Ismaili ma tregoi letrën e Ramiz Alise, i cili ndodhej në Paris dhe ku i kërkonte takim ne recepsionin e hotelit.
Nuk dua të kem të bëj me të, tha Ismaili. Ne drekuam së bashku dhe kaluam shumicën e ditës, duke injoruar diktatorin komunist.
Kemi ndarë shumë biseda të pjekura qoftë për politike, histori, art e letërsi.
Impresionohesha kur ai si personalitet i madh pranonte sugjerimet e këshillat e mia, ndoshta herë herë naive.
E kritikova për polemikën e panevojshme me Arshi Pipën. Thashë: “Pipa me ka thanë se Kadare asht shkrimtari shqiptar ma i miri që jeton, ai shkruen prozë dhe poezi. Je tepër i madh me u marrë me polemika”.
Disa vjet më vonë më ka falenderuar se kisha të drejtë.
Ishte mikpritës i dashtur, besnik dhe guximtar.
Për Çmimin Nobel i pata thënë tashma kjo nuk është më çështje personale, por është kombi që e dëshiron këtë shpërblim për birin tonë.
Madje në arkivën time kam letrën formale, që bashkë me një mik ia kemi dërguar Komisionit të Çmimit Nobel, në Suedi.
Pushoftë në paqe gjeniu yne, Ismaili i madh!
Ngushëllime Helenës, Gresës e Besjanës.
Sergio Bitiçi
Me familje e vllezër
New York, NY
1 Korrik 2024