Lamtumirë kolegu im Inxhinier Paskal Çuko

Nga Qemal Zylo

Këto ditë ndërroi jetë në Queens, New York Inxhinieri ushtarak Paskal Çuko.  Ai dha frymën e fundit në North Shore Forest Hills Hospital. 

Me trishtim e morëm këtë lajm të ndarjes nga kjo botë nga dhëndri i tij Tarzan Sadiku i cili i shërbeu së bashku me Mirandën, bijën e Paskalit, me plot përkujdesje dhe dashuri atërore, Për këtë përkujdesje të madhe ndaj Atit të tyre mikja e tyre e ngushtë Dea Telegafi fliste fjalë miradie.    

Të ndjerin Paskal Çuko do ta kujtoj plot respekt dhe mall, pasi për gati një dekadë kemi qenë bashkë në një zyrë në Ministri të Mbrojtjes në Drejtorinë e Autokratorëve, njëkohësisht e kishja shok në Universitetetin e Tiranës dega inxhinieri, i cili e vazhdoi në një moshë më të rritur. 

Ndonëse diferenca e moshës ishte e madhe, ne nuk na pengonte aspak, përkundrazi na afronte dhe më shumë.  Në jetë kam kuptuar se të kesh një shok të mirë nuk ka rëndësi mosha, feja, ideja, por rëndësi kanë bazat e forta të edukatës dhe të respektit reciprok. 

Inxh Paskal Çuko ishte një koleg i nderuar në punë, i cili dallohej si fjalëpak, i urtë dhe me një qetësi olimpike.  Ai me kulturën e punës dhe të komunikimit dinte të na afronte dhe të bashkëpunonim si ekip në këtë drejtori me shumë korrektësi dhe dashuri për detyrën e ngarkuar.  Inxhinieri ushtarak Paskal Çuko me plot vullnet dhe mençuri zbatonte programet e kohës dhe ishte i nderuar dhe i respektuar.

Familja e tij dhe miqtë i dhanë lamtumirën e fundit në varrezën “All Faiths Monuments” Queens, New York.  Ajo që do të më bënte përshtypje ishte se në parcelën e të ndjerit Paskal Çukos pranë kishte disa shqiptarë.  Duke i parë sikur më rehatohej shpirti dhe ndjeja paqe me vetëveten, pasi dhe streha e fundit larg Atdheut është nje dhimbje gërryese më vehte…  Këtë e kuptojmë vetëm ne që kemi ikur prej andej.

Përshtypja tjetër ishte se në këtë varrezë janë dhe Fred Trump babai i Donald Trump dhe Mary Anne MacLeod Trump nëna e Donald Trumpit, presidenti i 45-të i SHBA-s.

Fjalën e lamtumirës e mbajti e bija e tij Majera e cila kishte ardhur enkas nga Italia. 

Me lot në sy dhe plot emocion ajo midis të tjerash tha se: “Trashëgimia më e madhe që një prind mund të lerë janë kujtimet plot dashuri atërore.  Oh babi, qe s’do t’i harrojmë kurrë këshillat e tua të vyera, dhe atë më kryesoren se sa shumë duhet ta çmojmë dhe ta duam jetën.  Ju që na keni dhënë dashuri aq shumë, të premtojmë se këtë dhimbje do ta kthejmë në force ashtu siç e deshiroje ti babi.”

E ftuar nga Miranda e bija e tij në drekën e memories për të folur, ndava kujtimet e mia me familjen dhe të ftuarit.  Paskal Çuko la në pikëllim tri vajza që i rriti plot kujdes dhe edukatë, Mirandën, Majerën, Brisin si dhe bashkëshorten e tij fisnike mësuese Myzaferen.

Qofsh i Parajsës Inxhinier Paskal Çuko!

Lamtumirë!

22 Mars, 2023

New York

Dreka e lamtumires me familjen e Paskal Cuko