Nga Qemal Zylo
Me shumë hidhërim e mora lajmin e ndarjes së parakohshme nga jeta, nga mbesa e tij Floriana Belli, të legjendës së futbollit kombëtar, Bashkim Muhedini.
Brezi im u rrit me futbollin, duartrokiti sportistët më të mëdhenj që ka nxjerrë koha shqiptare filluar me Panajot Panon dhe natyrishit me portierin e admirueshëm, Kampionin e Ballkanit në Klube, të ndjerin Bashkim Muhedini.
Së bashku na kishte lidhur shkolla e mesme elitë, “Skënderbej” në Tiranë ndonëse nuk ishim në të njejtën moshë, por shumë kujtime i kishim të përbashkëta.
Sa herë e kemi ndjekur në ndeshjet e tij në stadiumin e famshëm “Qemal Stafa” sot Arena Kombëtare! Muhedini ishte një portier klasi, fluturonte në ajër, kur priste topat nga kundërshtarët e tij, dhe pikërisht në pritje, aty ndizej stadiumi nga brohorrimat, thirrjet, valëvitjet e shamive, fishkëllimat e shumta. Do vemi në stadium i thoshnim njeri tjetrit ne vitet 70-të e lart e linim me studentët e inxhinierisë mekanike, luan Partizani skuadra më e mirë kombëtare, luan Bashkim Muhedini. Pas streseve të dorëzimit të projekteve tek pedagogët, stadiumit na çlironte dhe na sillte një entuziazëm të paparë. Komentatorët si Ismet Bellova, Ahmet Shqarri etj sillnin me zërin e tyre brilant shfaqjen spektakolare të futbullit, skuadrat e kryeqytetit të Shqipërisë si 17 Nëntori, Partizani e Dinamo që ndesheshin në stadium.
E takova në New York, aty ku na hodhën fatet pranë Shoqatës “Skenderbej” që festonte ditën e Flamurit, në vitin 2018, ishte kënaqësi të bisedonim dhe të ndanim kujtime së bashku. Që atëhere shpeshherë më dërgonte përshëndetje në messenger, bisedonim në telefon dhe natyrshëm ndiheshim keq për largimin nga Mëmëdheu ynë, si dhe të mijëra shqiptarëve të tjerë. Kujtonte dhimbshëm luftën e klasave që e rrëmbeu në moshën e rinisë ngase ishte dhëndri i gjeneral Beqir Ballukut. Ai tregonte se Shkolla “Skënderbej” më edukoi me forcën e karakterit, korrektësinë, artin e lojës me kundërshtarin, etj…
Në fushat sportive të asaj shkolle kishja trainerin Bejkush Birçe, i cili më trainoi si portier, pasi pa aftësitë e mia në pritjen dhe luajtjen me topin. Ishte viti 1965 ku u zhvillua kampionati në këtë shkollë dhe trainieri më dalloi ngase unë nuk lija top pa pritur nga kundërshtarët. Për këto aftësi më morën të luaja me skuadrën e të rinjve të Partizanit”.
Kam qenë me fat që luajta me ekipin e Partizanit. Sa shumë kam mësuar nga superyjet dhe nga mbreti i futbollit Panajot Pano vazhdonte bisedën Muhedini! Kujtonte me nostalgji trainerin e futbollit Loro Boriçin me të cilin morën Kupen Ballkanike në vitin 1970. Ai respektonte të gjithë kolegët dhe kundërshtarët ku ndeshej plot profesionalizëm dhe kulturë të lartë “në shesh të mejdanit”, atje në stadium në Tiranë.
Ishte nje dashamirës i madh i Shkollave Shqipe dhe krenohej që fëmijët shqiptarë vinin dhe mësonin Shqip. Ja i thoshja unë, talentin tuaj, mjeshtërinë sportive mund ta përdorni duke krijuar klubin sportiv të fëmijëve pranë shkollave. Biseda rridhte natyrshëm dhe plot mirësi siç dinte të falte miku i mirë i gjithë sportdashësve Bashkim Muhedini.
Krenari që e kemi intervistuar për TV “Alba Life”, USA.
Bashkim Muhedini ka lindur, më 3 janar 1949 dhe u nda nga jeta në moshën 73-vjeçare në New York. Futbolli Kombëtar humbi një nga yjet e tij, ndërsa Diaspora Shqiptaro Amerikane një anëtar dhe patriot të madh.
Ngushëllime bashkëshortes, djemve dhe gjithë familjes së tij!
U prehsh në paqe Bashkim Muhedini, Legjenda e Futbollit shqiptar!
7 Tetor, 2022
Staten Island, New York