Lamtumirë Naum Prifti

Shkrimtari i njohur, Naum Prifti ka ndërruar jetë në moshën 91-vjeçare. Ai ishte një nga emrat më të shquar të letërsisë bashkëkohore shqiptare. Ai ishte një figurë shumëdimensionale, duke filluar nga novelist, tregimtar, dramaturgu, skenarist, kritik, fabulist, qëmtuesi i folklorit dhe mjeshtrit të shqipërimit.

Naum Prifti, i cili jetonte në SHBA prej shumë vitesh, ka qenë një kontribues i rregullt i gazetës “Illyria” dhe me mbi 200 shkrime, tregime, intervista, kujtime, që nga themelimi i saj në vitin 1991.

Naum Prifti është i pavdekshëm për lexuesin shqiptar se ka lënë mbrapa një mori librash e një kontribut të jashtëzakonshëm për kulturën shqiptare.

Gazeta “Illyria” dhe botuesi Vehbi Bajrami i shprehin ngushëllimet familjes Prifti për humbjen e njeriut të dashur.

PROFIL I NAUM PRIFTIT

Të jesh protagonist në të dyja kohët nuk është aspak e lehtë. Ndryshmet e sistemeve sollën rokadë në sistemin e vlerave.

Nga Jorgo Bulo

Shumë prej “të mëdhenjve” të socrealizmit koha ua ka fshirë emrat, por nuk janë të shumtë ata që jo vetëm i rezistuan tranzicionin, por vijuan në rrugën e krijimtarisë, ndonëse nuk qe e thjeshtë. Naum Prifti, novelisti, tregimtari, dramaturgu, skenaristi, kritiku, fabulisti, qëmtuesi i folklorit dhe mjeshtrit të shqipërimit, është një nga këto figura shumëdimensionale, që u rezistoi me dinjitet viteve të diktaturës dhe gjeti vendin e tij edhe pas saj.

“Naum Prifti, i cili ia përkushtoi jetën lëvrimit të fjalës shqipe, është një protagonist i kulturës shqiptare me një vepër që i ka qëndruar kohës, e papërdhosur dhe e shëndetshme”, shkruan prof. Jorgo Bulo. Ai e vlerësonte stilin lirik dhe shpirtin e qashtër të prozës së Naumit që “rrjedh e shpenguar si burimet e Kolonjës” (vendlindja e tij). Në librin me kujtime dhe ese udhëtimi, “Midis dy kohësh”, shkrimtari, dramaturgu, përkthyesi, studiuesi, shkruan “Pohimet e kritikëve, se Gëteja, Balzaku, Tolstoi, Dikensi, Migjeni, i kishin ndier vite më parë ndryshimet që po sillte koha, më dukeshin spekulime sa isha letrar i ri.

Mos vallë shkrimtarët kishin një shqise të gjashtë apo antena të posaçme për të parandier shndërrimet që po ravijëzoheshin në horizontin e largët? Më vonë, nga përvoja e jetës nën diktaturë, fillova të besoj se në ato pohime s’kishte asgjë metafizike. Ata janë në gjendje të vërejnë shenjat e sigurta që paralajmërojnë ndryshimet e regjimeve dhe të sistemeve, si tatëpjeta ekonomike, paraliza e mendimit, konformizmi, dualizmi midis mendimeve dhe fjalës, bjerrja e virtyteve morale, arbitrariteti i shoqëruar me dogmatizëm të hekurt, egërsia e pushtetit, humbja e idealeve dhe e besimit tek e ardhmja”.

ESEIST

Një nga tiparet më thelbësore të tij ishte ruajtja e harmonisë me veten me mendimet dhe idetë e tij. Dhe krijimtaria e tij e dëshmon qartë këtë cilësi të karakterit të tij, për të cilën ai ka të drejtë të krenohet. Vetëdija e tij si shkrimtar dhe humanist gjente shprehje në çdo moment të jetës së tij. Naumi pohon se kur ishte inspektor teatri në Ministrinë e Arsimit dhe të Kulturës, ai mbante shënime personale për çdo premierë me largpamësinë që të ruante një dokumentim sa më të saktë të shfaqjeve dhe të gjendjes së teatrove të kohës.

“Detyra më jepte kënaqësinë t’i ndiqja të gjitha premierat dhe shfaqet që jepeshin prej nëntë trupave profesioniste të vendit. M’u duk e nevojshme të mbaja shënime të menjëhershme, duke hedhur në letër mbresat që kisha përftuar për vlerat e dramës, regjisurës, skenografisë, lojën e aktorëve. Detyrën e inspektorit nuk e gëzova gjatë, sepse pa mbushur dy vjet, më larguan. Dy qenë shkaqet kryesore: intrigat e organizuara kundër meje në Komitetin e Partisë së Tiranës, të cilët më futën pa asnjë arsye në listën e “feministëve të Ministrisë”, të cilët u pushuan nga puna “en group.”

Meqenëse ajo akuzë u rrëzua para se të shpallej, atëherë gjetën shkak të më pushonin nga detyra si të padëshiruar. Në dikasteret qendrore, sipas disa kritereve sekrete, nuk mund të punonin ata që kishin njerëz të afërm jashtë shtetit. Po të ishte kështu, kuadri e dinte mirë nga dosja ime se kisha dy vëllezër në Amerikë dhe atëherë s’duhet ta kishte pranuar emërimin tim. Pasi me pushuan si inspektor, filluan të më aktivizonin si të jashtëm, sepse u duhej një dramaturg. Kështu, unë vazhdova mbajtjen e shënimeve të mia për dramat e shfaqura në diktaturë”.

TREGIMTAR DHE DRAMATURG

Pas botimeve të disa vëllimeve me tregime si: “Tregime të Fshatit” (1956), “Lëkura e Ujkut” (1958), “Çezma e Floririt” (1960), “Tregime” (1962), Naumi lëvroi dramën. Në vitin 1964 me dramën e tij “Rrethimi i Bardhë” u përurua hapja e teatri “Skampa” të Elbasanit. Drama u vu njëkohësisht edhe nga trupa profesioniste e teatrit “Andon Zako Çajupi” të Korçës. Ndonëse u pëlqye shumë nga artistët dhe nga publiku, Enver Hoxha vërejti se grupit të gjeologëve të rrethuar nga bora në veri të vendit, nuk u erdhi në ndihmë aeroplani i dërguar nga autoritetet, por ata ia dalin mbanë vetë. Enver Hoxha dështimin e hedhjes së ndihmës nga aeroplani e mori si sfidë për politikën e tij. Drama dhe vetë autori do kishin pasur fat tjetër nëse punëtorët e kantierit do brohorisnin “Parti-Enver”. Me intuitën e tij, në dramë Naumi kishte pohuar se partia që e mbante veten si detashmenti pararojë i klasës punëtore, qe larg saj shpirtërisht e fizikisht dhe se askush nuk e ka shfrytëzuar më egërsisht këtë klasë se të vetëquajturit përfaqësuesit e saj, udhëheqësit e partive komuniste në vendet ku kishin në dorë pushtetin, kujton Naum Prifti. Riedukimi ishte një nga pasojat e hidhura të “dramës së gabuar”, “Rrethimi i Bardhë” që do ta shoqëronte shkrimtarin për më shumë se dhjetë vjet. Naumi kishte dhunti si dramaturg dhe repertori i tij në këtë gjini është shumë i pasur me vepra si “Mulliri i Kostë Bardhit” (1969), Plumbat e shkronjave” (1978), “Një verë e thatë”, “Zani-Partizani” (1981), “Lenini mes fëmijëve” (1981), “Luftëtari më i ri” (1981), komedia “Dasmë pa nuse” (1969), “Talent i rrallë” (1980). Naum Prifti është i vetmi autor, i cili ka parë një vepër të tij të vënë në të gjitha skenat e teatrove profesioniste të Shqipërisë. Me kërkesën e baletmaestros Agron Aliaj, Naum Prifti shkroi edhe një libret baleti me titullin “Bijtë e shqipes”. Libreti u nderua me çmimin e parë në Konkursin Kombëtar në 1974.

SKENARIST I FILMAVE ARTISTIKË DHE VIZATIMORË

Mbi të gjitha, Naum Prifti shquhet në gjininë e tregimit. Lista e botimeve përshin vëllime si “Një pushkë më shumë” (1969), “Litar i zjarrtë” (1970), “Tregime të zgjedhura” (1972), “Njerëz të kësaj toke” (1975), “Njëqind vjet” (1983), “Tre vetë kapërcejnë malin” (1972), “Yjet ndritin lart” (2002), “As Miço, as Muço” (2003). Regjisorët mendonin njëzëri se tregimet e Naum Priftit konvertoheshin lehtë në skenarë të suksesshëm. Prandaj filmat kishin motive dhe subjekte të tij: “Pylli i lirisë” nga tregimi “Ndjekësi i kuajve” me skenar të Kiço Blushit, “Tokë e përgjakur”, bazuar te tregimi “Litar i zjarrtë”, me regji të Kristaq Mitro e Ibrahim Muça, “Tre vetë kapërcejnë malin”, prodhim i Kosovafilm me regjisor Besim Sahatçiu (gjyshi i Rita Orës) dhe skenar të Skënder Blakaj. Ky tregim u kthye në skenar filmi edhe në Shqipëri, edhe në Kosovë. Si skenarist u paraqit me filma në ekranin e TV apo të kinemasë. “Era e ngrohtë e thellësive” (TV) 1981, “Kush vdes në këmbë” me bashkëskenarist Vladimir Priftin (1984), “Fejesa e Blertës” me bashkëskenarist Roland Gjoza (TV) 1984. Filmi “Themistokli Gërmenji”, i cili shpalli Republikën e Korçës për ta shpëtuar nga aneksimi grek, megjithëse u aprovua nga Këshilli artistik i Kinostudios nuk arriti të xhirohej, se marrëdhëniet me Greqinë nuk duhet të ashpërsoheshin pas botimit të librit të Enver Hoxhës “Dy popuj miq”. Tregimi i tij “Pika e ujit” u punua në film multiplikativ nga një ekip i talentuar në Kinostudion “Shqipëria e Re”, që hodhën themelet e filmit vizatimor shqiptar. Përralla sjell disa dimensione, të cilat kanë arritur t’i realizojnë piktori Vlash Dobroniku, regjisori Bujar Kapexhiu dhe gjithë ekipi punues. Skenari i Naum Priftit fitoi Çmimin e Parë në Festivalin e Dytë të Filmit Shqiptar në 1976.

SHKRIMTARI ANTIELITIST

Emri i Naum Priftit spikat veçanërisht në letërsinë për fëmijë. Ndërsa për disa autorë nuk mund të quheshe shkrimtar për të rritur po të merreshe me botën e fëmijëve, Naum Prifti nuk besonte as në kategorizime dhe as në hierarki të gjinive letrare. Për të, mistifikimi i një fushe ishte shprehje apo pasojë e paditurisë për vlerat e artit.

“Nuk ka gjini të lehta dhe të vështira në art, sepse arti në kuptimin e mirëfilltë është përpjekje e pareshtur, kërkim i përhershëm dhe rrekje për të arrirë shprehje të përkryer artistike”, thotë Naum Prifti. Kaq e thellë është modestia e tij dhe vlerësimi për moshat e reja, sa Naum Prifti u angazhua si pjesëtar i ekipeve për tekstet shkollore, një punë me të cilën nuk do angazhohej asnjë “shkrimtar elitist”. Në bashkëpunim me Bekim Harxhin dhe Ivoni Reson, Shefik Osmanin, Enrieta Bimbashin dhe Shpresa Dhimitru, krijuan për herë të parë LEXIMI për klasën e parë, të dytë të tretë dhe të katërt. Redaktor ishte Hamza Minarolli e konsulent Prof. Kolë Xhumari. Në bazë të udhëzimeve e këshillave të prof. Xhumarit, disa vite më vonë u punuan

LEXIMI 1, 2, 3, 4. Me intuitë artisti, iu kushtua letërsisë didaktike për kategoritë e vështirësive që parashtroi veterani i Abetares. Ai krijoi përralla, fabula e tregime letrare, disa herë edhe adoptime nga letërsia angleze, me subjekte ku hynin denduri fjalë me germa të ngjashme apo tinguj të përafërt, me germa pak të përdorura ose me bashkëtingëllore treshe. Të gjitha këto të harmonizuara me përmbajtje letrare-edukative dhe nivelin didaktik të fëmijët e moshës gjashtëvjeçare. Libri “Pas Abetares” plotësoi një mungesë në letërsinë e palëvruar didaktike të kohës për moshat e njoma dhe prej vitit 1997 përdoret si lexim jashtëshkollor. Tregimi “E pabesueshmja” nuk harrohet kurrë edhe nëse e ke dëgjuar në radio, edhe nëse e ke lexuar një herë. “E Pabesueshmja” ka qenë në leximin letrar në shkollën e sistemit komunist. Subjekti është heroizmi i një partizani të plagosur që lufton për lirinë e vendit dhe që duhet të operojë krahun e gangrenizuar pa narkozë dhe me një sharrë të zakonshme. Nuk ka Parti, nuk ka Enver, nuk ka duartrokitje, vetëm shpirti i paepur i një djali shqiptar. Te të gjitha tregimet e këtij shkrimtari, stili gjuhësor dhe karakteret janë të besueshëm dhe joartificialë sa të bëjnë ta ndjesh ngjarjen dhe të mos shlyhen kurrë më nga kujtesa. Tregimi “Letra e turkut” flet për një vend të bukur në shkretëtirë sepse njerëzit që banojnë atje, dinë si të shohin bukurinë e asaj pjese. Naum Prifti nuk përdor sharje apo fyerje për njerëzit a kulturat e tjera sepse humanizmi i tij është i sinqertë dhe i vërtetë.

MJESHTER I PËRKTHIMIT

Dashuria për fjalën shqipe, për ruajtjen e tyre, për përdorimin me vend del në pah edhe më mirë në përkthimet mjeshtërore të Naum Priftit. Veprat e Roald Dahl “Gjiganti i madh i mirë”, 1990, “Çarli dhe ashensori i madh prej xhami” (2018) janë shqipëruar prej tij në mënyrë të përsosur. Në to është Naum Prifti poet, sepse i është dashur të krijojë poezitë që përmban libri. Prof. dr. Majtime Dushallari, në vlerësimin e saj për këtë libër, shkruan: Naum Prifti në këtë përkthim shpalos pasurinë e gjuhës shqipe. Për një fjalë anglisht asnjëherë nuk përsërit fjalët shqip, por përdor fjalë sinonime ose shprehje të ndryshme me të njëjtin kuptim sipas situatës, që e bëjnë tregimin të rrjedhshme dhe gjuhën më të larmishme. Nga frëngjishtja, ai ka përkthyer “Princin e vogël” të Exuperisë e nga italishtja “Katër stinët” me përralla. Tani ai ka përfunduar disa përkthime të tjera nga Dahl dhe Singer.