Nga Harry Bajraktari
Kemi humbur një mike dhe një grua të madhe sonte.
Madeleine Albright ishte një Sekretare Shteti historike, e cila udhëhoqi përpjekjet ndërkombëtare për të sjellë paqe dhe demokraci në Ballkan.
Ajo ndërroi jetë vetëm një ditë përpara përvjetorit të ndërhyrjes së NATO-s që çliroi Kosovën në 1999. E kanë quajtur “Albright’s War” (Lufta e Albright-it) sepse ishte nga të parat që e kuptoi se me diktatorin serb Sllobodan Millosheviq bënte punë vetëm gjuha e forcës.
Një nga kujtimet e mira më të paharueshme me të është takimi një ditë përpara se të niseshim në Rambuje, në shkurt 1999. Do të udhëtonim me një grup aktivistësh të NAAC (Këshillit Kombëtar Shqiptaro Amerikan) dhe me miqtë tanë në Kongres, Eliot Engel dhe Sue Kelly, bashkëkryetarë të Kaukusit Shqiptar.
Madam Sekretarja, si e thërrisnin në atë kohë, na ftoi që ta ndihmonim që të bindte udhëheqësit e Kosovës që ta firmosnin Marrëveshjen e Rambujesë si e vetmja mënyrë për të ndaluar Millosheviqin. Shqiptarët duhej t’i besonin Amerikës se NATO-ja ishte gati që ta godiste fuqishëm Serbinë.
Ishin ditë të vështira për ne. Ajo udhëtoi edhe vetë në Francë dhe u takua personalisht me përfaqësuesit e Kosovës.
Madeleine Albright e mbajti fjalën. Kur udhëheqësit kosovarë e firmosën Marrëveshjen kurse serbët e hodhën poshtë, NATO-ja ndërhyri. Në 24 Mars 1999, bombat ranë si rrebesh mbi forcat dhe pozicionet e ushtrisë serbe. Shtetet e Bashkuara dhe Aleatët e ndaluan katastrofën humanitare që po vinte në Kosovë. Dhjetëra mijëra jetë njerëzish u shpëtuan nga kjo ndërhyrje.
Sekretarja Albright mbeti deri në fund të jetës, një mike e madhe e shqiptarëve kudo ku jetojnë. Ajo mbështeti pavarësinë e Kosovës dhe ndiqte me entuziasëm çdo përparim të shtetit të ri.
Me rastin e 20-vjetorit të ndërhyrjes së NATO-s udhëtuam së bashku, me aeroplan drejt Kosovës. Ishte një grup i mrekullueshëm. Mes nesh kishim edhe Presidentin Bill Clinton dhe Gjeneralin Wesley Clark, dy figura të tjera vendimtare të asaj lufte.
U emocionova nga ceremonia e bukur me të cilën një sheshi në Prishtinë iu vu emri Madeleine Albright.
Si shumë prej nesh, Madeleine Albright erdhi në këtë vend si emigrante me familjen e saj u vendos në SHBA për t’i shpëtuar regjimit komunist. Jeta e saj është një histori e bukur amerikane. Se vetëm në Amerikë, një emigrante bëhet diplomatja kryesore e vendit.
Pushoftë në paqe! Kombi shqiptar nuk do ta harrojë kurrë!