Nga Ruben Avxhiu
Vdekja e Margaret Thatcher është pasuar nga reagime të ndryshme në Mbretërinë e Bashkuar dhe në botë, pasi ajo shpesh ishte lloji i politikanes që ose e donin ose e urrenin, por ndikimin e së cilës askush nuk guxonte ta vinte në dyshim.
Megjithatë, nuk kishte kontradikta në reagimet për këtë lajm në gjysmën lindore të Evropës, e cila ishte e mbërthyer për gati gjysmë shekulli nën komunizëm. Për rolin e saj në rënien e Perandorisë Sovjetike, që solli erën e ndryshimeve demokratike Thatcher do të admirohet dhe respektohet përgjithmonë, në vendet ish-komuniste.
Shqipëria ishte një shembull i mirë për këtë. Është domethënëse se edhe kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, i bëri homazhe në Twitter për udhëheqëses së ndjerë britanike. “Një grua e madhe vdiq. Ajo ishte e respektuar nga të gjithë kundërshtarët e saj”, shkroi ai përpara se të ripostonte një numër mesazhesh nga BBC dhe faqe të tjera lajmesh me fakte për jetën e saj.
Kryeministri aktual i Shqipërisë, Sali Berisha, i cili është më i afërt me ideologjinë e saj politike, e vlerësoi Thatcher-in si “një nga personalitetet më të dalluara politike të të gjitha kohërave”.
Ai kujtoi edhe takimin e tij të parë me të, kur sapo kishte hyrë në politikë, si një nga drejtuesit e opozitës antikomuniste në Shqipëri. Ajo kishte pranuar ta takonte gjatë vizitës së tij në Mbretërinë e Bashkuar, por siç kujton Berisha, qëllimi i saj nuk kishte qenë aspak për të folur për shembjen e komunizmit në Shqipëri, por për diçka tjetër.
Zonja e Hekurt, largpamëse si rrallëkush në botën perëndimore, donte të pyeste Berishën për rritjen e nacionalizmit ekstrem në Serbinë fqinje dhe represionin ndaj kosovarëve.
Disa vite më vonë, kritikat e saj ndaj liderëve botërorë ishin fshikulluese. Për të, dukuritë e “përdhunimit masiv, varrezave masive, kampeve të vdekjes, komuniteteve historike të zhdukura nga spastrimi etnik” ishin “monumente të triumfit të Millosheviçit”, por edhe një “rezultat” i drejtpërdrejtë i “tetë viteve të gjata të dobësisë perëndimore”. Ajo e krahasoi sjelljen e mekur të Perëndimit ndaj Serbisë nacionaliste dhe militariste me dobësinë e treguar ndaj Hitlerit në vitet ’30.
Margaret Thatcher ishte ndoshta personaliteti i parë politik ndërkombëtar që bëri thirrje për pavarësinë e Kosovës, kur lufta e NATO-s kundër Jugosllavisë ishte e ndezur, më 29 prill 1999, në një fjalim vërtet historik.
“Do të ishte mizore dhe marrëzi të prisje që shqiptarët e Kosovës tani të kthehen për të jetuar nën çdo formë të sundimit serb. Kosovës duhet t’i jepet pavarësia, fillimisht nën mbrojtjen ndërkombëtare”, tha ajo. Pjesës tjetër të botës perëndimore iu deshën gjashtë deri në shtatë vjet të tjera për të arritur në një përfundim të ngjashëm.
Duke treguar edhe një herë se është e talentuar me një largpamësi të jashtëzakonshme, ajo shtoi: “Dhe nuk duhet të ketë ndarje, një plan që zërat e parashikueshëm të sirenave janë duke e propozuar që tani. Ndarja do të shërbente vetëm për të shpërblyer dhunën dhe spastrimin etnik. Do të ishte të pranonim humbjen.”
Ndryshe nga liderët aktualë të botës, të gjymtuar nga një korrektësi politike imorale, e cila përpiqet të caktojë ekuivalencë morale midis agresorit dhe viktimës, ajo tha: “… Nuk më prekin aspak lutjet serbe për të mbajtur nën zotërimin e tyre pjesën më të madhe të Kosovës, sepse aty qenkan vendet e tyre të shenjta. Duke ardhur nga ata që rrafshuan sistematikisht kishat katolike dhe xhamitë myslimane kudo që shkonin, një argument i tillë është cinik pothuajse deri në blasfemi”.
Sot, kur Serbia ka refuzuar edhe një herë një marrëveshje të re nga një Bashkimi Evropian pa dhëmbë dhe akomodues; kur pothuajse 14 vjet pas luftës, Serbia ende refuzon të marrë përgjegjësinë për krimet kundër njerëzimit të kryera në Kosovë, dhe vazhdon të sfidojë Perëndimin në oborrin e saj, është e natyrshme që t’i mungojë Zonja e Hekurt dhe lloji i liderit që ajo ishte. . Bota mbetet e ndarë për trashëgiminë e saj, por e vërteta është se Perëndimi mund të përdorë vërtet një lider si ajo.
Sot, ndërsa baronesha Ashton takohet me kryeministrin e Serbisë për të marrë refuzimin e paralajmëruar fyes të planit të BE-së, ajo duhet të marrë një faqe nga libri nga një tjetër baroneshë, e ndjera Margaret Thatcher dhe të ngrihet për paqen dhe stabilitetin e vërtetë në Ballkan. .